Aktorja australiane Rebel Wilson ka zbuluar së fundmi se përjetoi një incident të frikshëm gjatë xhirimeve të filmit të saj më të ri, komedinë aksion “Bride Hard”.
Gjatë një interviste për Access Hollywood, ylli i ekranit tregoi detaje për momentin dramatik që ndodhi në setin e filmit, duke pranuar se rrezikoi të mbetej me dëmtime të përhershme në fytyrë.
“Në një skenë përleshjeje, një armë më ra aksidentalisht në fytyrë,” rrëfeu Rebel.
“Hunda u ça dhe u desh të ndërprisja menjëherë xhirimet. Ishte nata ime e fundit në set dhe mendova: Sa pa fat jam?”
Sipas saj, ngjarja ndodhi në skenën e fundit të luftimeve për atë ditë, por situata mori një kthesë serioze kur e gjeti veten të mbuluar në gjak.
“U tremba shumë! Menjëherë erdhi ambulanca dhe më pas u thirr një kirurg plastik. Ishte e domosdoshme, sepse nëse nuk do ta kishin qepur siç duhet, rrezikoja të mbetesha me një shenjë përjetë,” shtoi aktorja.
Fatmirësisht, ndërhyrja rezultoi e suksesshme. Rebel tregon se sot, plagët janë thuajse të padukshme dhe ajo është rikuperuar plotësisht.