ROMË– Italianët janë të njohur si mjeshtër të picave në të gjithë botën. Por përveç këtij fakti ata mesa duket kërkonin të bëheshin të njohur edhe për diçka tjetër. Për këtë vendosën të bënin picën më të madhe në botë, duke vendosur një rekord vërtet interesant, që u përfshi në librin e Rekordeve Guinness. Pica gjigante, me një diametër prej 39.6 metrash, është bërë në Romë dhe për përgatitjen e saj janë impenjuar pesë kuzhinierët më të njohur në Itali.
Për përgatitjen e picës janë dashur nëntë tonë miell, katër tonë salcë domatesh, tetë tonë moxarela dhe shumë përbërës të tjerë, që i japin shije të veçantë kësaj pice. Kompania "Dr.Schar" është dizajnuese e këtij projekti interesant.
Rekordi i mëparshëm i picës më të madhe në botë ishte vendosur në Afrikën e Jugut, një specialitet gjigant i pjekur në vitin 1990, me një diametër prej 37 metrash. Pas shpalljes zyrtare të rekordit, pica është prerë dhe ndarë, kurse pjesa më e madhe e saj ka përfunduar në kuzhinat e Romës.