Emergjenca mjedisore e krijuar ditët e fundit në qytetin e Durrësit për shkak të mos tërheqjes së mbeturinave shoqëroi gjatë të martës vizitën e ministres së kulturës Elva Margariti. Kazanët plot me mbeturina ishin lehtësisht të dallueshëm tek amfiteatri i qytetit (ndalesa e ministres Margariti), por edhe tek Muzeu Arkeologjik.

Por problematika nuk ekziston vetëm gjatë këtyre ditëve, kur Durrësi është i mbytur nga plehrat për shkak të mbylljes së landfillit të Porto Romanos. Jo pak herë, DurrësLajm ka publikuar foto dhe pamje filmike, sidomos gjatë sezoneve verore të kaluara, kur kazanët e mbeturinave pranë objekteve të trashëgimisë kulturore të qytetit, shumë të vizitueshme nga turistët e huaj, janë të tejmbushur, ndërsa era e lëshuar nga dekompozimi i mbeturinave ndihet metra larg.

Sot (e martë), ministrja Margariti erdhi apostafat në qytetin për të nënshkruar marrëveshjen tripalëshe për Memorandimin e Mirëkuptimit që ka për qëllim hartimin e Planit të Menaxhimit të Integruar të Zonës Arkeologjike A dhe B të qytetit të Durrësit.

E pyetur nga DurrësLajm se si ndihej kur shikonte kazanët e tejmbushur, ministrja Margariti deklaroi se “nuk mund t’i vendoset gishti vetëm një ministrie apo një bashkie. Mendoj se është ndërgjegja e çdokujt prej nesh, duke filluar edhe nga ne të gjithë që jemi këtu, për t’u ndjerë krenarë për vendin ku jetojmë, për qytetin ku jetojmë dhe për të mos e parë rrugën si pronësi të bashkisë apo amfiteatrin si pronësi të Ministrisë së Kulturës”.

Eshtë e vërtetë që qytetarët duhet të ndërgjegjësohen, por ndërgjegja qytetare mbetet deri tek hedhja e mbeturinave në vendin e caktuar. Qytetarët as nuk përcaktojnë vendgrumbullimin e mbeturinave në lagje dhe as nuk realizojnë tërheqjen e mbeturinave.

Nëse nuk do të kishte qenë pandemia Covid-19, Durrësi do të ishte aktualisht një qytet mjaft i vizituar, sidomos nga turistët e huaj. E krahas amfiteatrit, turistët mund të fiksonin në celuloid edhe pirgjet me mbeturina ngjitur me objektin unik për nga rëndësia në rajonin e Ballkanit, apo plehrat që mbulonin trotuarin pranë Muzeut Arkeologjik, Forumin Bizantin apo termat romake. Janë këto nga disa kompotentët e atij që qeveria Rama e cilësoi “Parku Arkeologjik”, kur i miratoi kufijtë me VKM të posaçme disa javë më parë. Nuk mjaftojnë vetëm projektet që mund të zbatohen në të ardhmen, e rëndësishme është që me aq sa është e mundur t’u jepet rëndësia e merituar TANI.

Për vetë vlerat që mbartin këto monumente të antikitetit dhe historisë së Durrësit, ministrja Margariti mund t’i sugjeronte pushtetit vendor përcaktimin e një tjetër vend grumbullimi, apo në pamundësi për këtë të paktën kazanët e hapur të zëvendësoheshin me kazanë të rinj me kapakë.

Mënyra sesi prezantohen këto objekte të trashëgimisë kulturore para syve të turistëve vendas edhe të huaj tregon shumë edhe për rëndësinë që autoritetet përkatëse i kushtojnë kësaj pasurie të paçmuar të Durrësit.

Tani që duket se qeveria Rama e ka përqendruar vëmendjen tek menaxhimi i integruar i Zonës Arkeologjike A dhe B të qytetit të Durrësit të shpresojmë se të paktën njëherë në këto 30 vite tranzicion do të punohet realisht për të nxjerrë në pah vlerat e qytetit 3 mijë vjeçar e jo për të bërë propagandën e radhës me projekte që janë ende në “ajër”. 

M.B.