Muzeu Arkeologjik është një prej aseteve më të rëndësishme historike dhe arkeologjike që ka qyteti i Durrësit, ku shpaloset historia tre mijë vjeçare epokë pas epoke. 

Numri i turistëve që vizitojnë Muzeun Arkeologjik ka ardhur në rritje çdo sezon turistik, duke arritur në mijëra në vit.

Por në këtë fillim sezoni turistik, vizitorët e këtij muzeu i “mirëpresin” kazanët e mbeturinave, të rreshtuar njëri pas tjetrit ngjitur me portën hyrëse.

Shtatë kazanë plehrash pa kapakë, të cilët shpërndajnë rreth e qark erën e rëndë si pasojë e dekompozimit të mbeturinave urbane presin turistët në Muzeun Arkelogjik. Herë pas here, sapo kazanët mbushen, aty mbërrijnë banorët e varfër të qytetit që bëjnë ndarjen e mbetjeve urbane, duke marrë plastikën dhe qelqin nga kazanët për të siguruar të ardhurat ditore.

Vetë fakti që kazanët janë vendosur para Muzeut Arkeologjik është dëshmi e papërgjegjshmërisë së strukturave përkatëse për rëndësinë që ka historia mijëra vjeçare e qytetit tonë dhe mënyra sesi ajo prezantohet para syve të të huajve.  

Drejtuesit e Muzeut Arkeologjik nuk duhet të lejonin një situatë të tillë, pasi vargu i gjatë i kazanëve është prezantimi më i keq i mundshëm i investimit të kryer në muze për të nxjerrë në pah atë çfarë ka trashëguar qyteti bregdetar në këto 3 mijë vite ekzistencë.

Çdo biznes në Durrës paguan 15 mijë lekë të reja tarifë pastrimi në vit, ndërsa paguajnë edhe tarifë për gjelbërimin 3000 lekë, ndriçimin 2500 lekë ashtu si edhe qytetarët familjarë.

Të gjitha këto para vilen nga ana e bashkisë e nuk ka biznes apo konsumator që t’ju bëjë bisht sepse, shteti me mekanizmat e tij të bllokon shërbime të tjera. 

Fare pranë Muzeut Arkeologjik në ish ambientet e pishinës së vetme publike, është ndërtuar një parking privat. Aty paguhet tarifa 100 lekë. Sikur një ditë në vit të ardhurat e kësaj tarife të shkonin për kazanët e plehrave për dezinfektimin e tyre, për larjen dhe dezinfektimin e trotuarit ku era e rëndë të mbyt, situata do të ishte krejt tjetër.

Ata që e kanë për detyrë këtë punë është mirë të veprojnë shpejt sepse turistët që të hyjnë në muze duhet të mbyllin hundët me duar, ndërsa qytetarët durrsakë skuqen nga turpi për “mikpritjen” që u afrohet turistëve. Qytetarët shpesh e shmangin kalimin në trotuarin ku ndodhen kazanët e mbeturinave, për të shmangur infeksionet që vijnë prej tyre.

K.H.