Për t’u përgatitur për një luftë të mundshme kundër Rusisë, NATO po planifikon të ndërtojë një sistem tubacioni nga Gjermania në Poloni dhe Republikën Çeke. Kështu raporton “Der Spiegel”. Plani synon të sigurojë furnizimin e shpejtë të vajgurit për avionët luftarakë.

Sistemi ekzistues i tubacioneve të NATO-s nga Lufta e Ftohtë përfundon në Bramsche, Saksonia e Poshtme dhe në zonën e Ingolstadt në Bavari. “Ka probleme të rëndësishme në furnizimin e qëndrueshëm me karburant të forcave që do të duhej të zhvendoseshin në kufirin lindor nëse është e nevojshme,” thotë një memorandum i brendshëm i Bundeswehr-it, thekson “Der Spiegel”.

Sipas një dokumenti të dorëzuar në menaxhmentin e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, bisedimet e brendshme aleate kanë treguar se sistemet e tubacioneve janë “shtylla kurrizore e furnizimit me karburant të NATO-s“.

Kostoja totale e projektit pritet të jetë 21 miliardë euro. Gjermania do të kontribuojë me më shumë se 3.5 miliardë euro në megaprojektin, tha ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius (SPD) për “Der Spiegel”. “Për ushtarët tanë furnizimi i besueshëm me karburant është një nga parakushtet thelbësore për gatishmërinë e tyre operacionale”, tha ministri.

Koha totale e ndërtimit vlerësohet nga 20 deri në 25 vjet dhe vetë tubacioni pritet të përfundojë kryesisht deri në vitin 2035. Rruga kalon nën disa lumenj dhe përmes rezervave ujore dhe natyrore, thonë dokumentet. Për më tepër, çështjet e tokës duhet të sqarohen. “Nëse pronarët nuk janë dakord, ata mund të shpronësohen”, theksohet në dokumentacion.