TIRANE- Plani rregullues i Tiranës është gati dhe nesër pritet të miratohet në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Ky rregullator, jo vetëm i ndërtimeve në kryeqytet, por edhe i shumë shërbimeve jetike për qytetarët, vitin që vjen do të marri jetë, pasi të kalojë edhe në Këshillin Kombëtar të Rregullimit të Territorit (KRRTRSH).

Hartat, politikat e zhvillimit të territorit të Bashkisë Tiranë, rregullorja e planit të përgjithshëm të bashkisë, si dhe vlerësimi strategjik mjedisor i planit urbanistik janë katër dokumentet kryesore të masterplanit, i cili do të diskutohet ditën e hënë në ‘Parlamentin’ e Tiranës. Në parashikimet që janë bërë për zhvillimin e Tiranës, një rëndësi e madhe u është dhënë edhe parkimeve nëntokësore, të cilat do të sjellin uljen e trafikut sidomos në qendër të kryeqytetit. Plani ka përcaktuar 10 njolla për parkime nëntokësore, si dhe ndërtimin e një ndërtesë te “Mine Peza” deri në 4-5 kate për parkimin e automjeteve. 

PARKIMET

Të lëvizësh me automjet sot në Tiranë është një vështirësi e madhe, sidomos në orët e pikut, ku shpeshherë në pjesën e qendrës paralizohesh për minuta të tëra. Ndaj, për të përmirësuar lëvizshmërinë urbane, plani urbanistik ka parashikuar disa masa, siç janë: Rishqyrtimi i strukturës së linjave të autobusëve; Sigurimi i më shumë korsive të përcaktuara për autobusë; Kufizimi i ngarkesës në rrugët kryesore urbane; Vendosja e një rregulloreje për disiplinimin e trafikut në qytet; Zgjidhja e problemeve të parkimit duke rritur tarifat për parkim, gjë që do të ndikojë në zbrazjen e zonave qendrore nga trafiku dhe në orientimin e qytetarëve drejt transportit publik; Në kuadrin e masave që duhen marrë për të përmirësuar qarkullimin dhe lehtësuar trafikun brenda qytetit, një rol shumë të rëndësishëm luan transporti publik, i cili parashikohet të zhvillohet me autobusë dhe mbi shina.

Ndërtimi i mjediseve të parkimit është gjithashtu i rëndësishëm për të lehtësuar intermodalitetin mes automjeteve private dhe sistemeve publike tranzite në të gjithë zonën metropolitane. Për këtë arsye, mjediset e reja të parkimit duhet të zhvillohen në kryqëzimet kryesore, pikat e transferimit ndërmjet rrugëve kryesore dhe stacioneve të tranzitit publik. Ndaj është parashikuar që të ndërtohen 10 parkime nëntokësore, përkatësisht te Stacioni aktual i Trenit, pasi do spostohet pranë mbikalimit të Kamzës, mbrapa Muzeut Kombëtar, mbrapa Teatrit të Operas dhe Baletit, te sheshi “Avni Rustemi”, te parkun “Rinia”, pranë Kullave Binjake, përballë hotel “Rogner”-it, pranë ndërtesës së QKR-së, te sheshi “Italia” ku puna për parkimin nëntokësor tashmë ka nisur, si dhe mbrapa stadiumit “Qemal Stafa”. Ndërkohë që, veç këtyre 10 parkimeve nëntokësore, është parashikuar edhe një parkim i 11-të, por ky do të jetë mbi tokë, si një godinë më vete, 4-5 kate, dhe do të shfrytëzohet vetëm për parkimin e automjeteve, përkatësisht te rruga “Mine Peza”.