Ka degjeneruar në fyerje e akuza të ashpra replika mes ministres së Arsimit Lindita Nikolla dhe deputetit Ben Blushi në Kuvend.
Ben Blushi doli në foltore për t’iu përgjigjur Nikollës, kur jo e fundit sulmoi deputeten e Libra-s Mimoza Hafizi dhe më pas në foltore për të mbrojtur Nikollën doli kryeministri.
Lindita Nikolla: Ti je një mediokër ekzemplar, dembel ekzemplar, delirant ekzemplar që shkruan libra dhe që do të marrësh në qafë me injorancën tënde të rinj e të reja që janë shumë më të qartë për të vënë kufirin te thana. Nuk ke bërë asgjë veçse ke anametuar dhe thurur lavde vetes. Të njoh shumë mirë si përçmon e neverit. Për zonjën që foli e kam parë si është shkërmoqur figura në kohën që u bë shoqja jote e ngushtë (Mimoza Hafizi). Shko pyet sa janë rritur tarifat. Është gënjeshtër e madhe se është rritur tarifa.
Ben Blushi: Në këtë parlament ka pasur qindra ministra, një prej tyre je ti. Askush nuk do të mbahet mend që ka pasur një bodigard që e conte për të marrë 3 mijë për një vend pune. U arrestua truproja jote. Të të vijë turp që e mban këtë ministre. Je injorante totalisht është fatkeqësi për të gjithë studentët e Shqipërisë si mund të kenë ty ministre arsimi një njeri që ndan lekët me truprojen. Kjo je ti dhe herën tjetër kur të çohesh të flasësh me atë zonjën e nderuar mati fjalët zonjë, sepse po ta them: do merrem vetëm me ty sepse injoranca jote është e padurueshme.
Edi Rama: Për ata që e ndjekin seancën nga TV se ne të gjithë e dëgjuam ulërimën nga fundi i sallës që ishte një ulërimë prej një karrocieri të dehur në drejtim të ministres së arsimit, një ulërimë e turpshme për dikë që i thotë vetes LIBER. Lëre se etika dhe ai (Blushi) skanë lidhje me njëra tjetrën. Vjen këtu dhe akuzon si Saliu, përsërit të njëjtën akuzë të Saliut. i bën jehonë qytetarit dixhital të Saliut. E vërteta është që një mësuese një mësuese dhe drejtore gjimnazi është në historinë e këtyre 25 viteve ministre e arsimit që tregoi se reforma në arsim mund të bëhet.
Zotëria do mbahet mend në ministrinë e arsimit që shkurtoi bankat, do bëhet barsaletë. Sot mos fol më, mblidhe veten se u çorodite nga disa të vërteta shumë të thjeshta që skanë asgjë personale, por kanë vetë, një informim nga ata që nuk të njohin për marrëdhëniet e tua me politikën, PS-në dhe punën. Sali e më Sali, zi e më zi e bën për vete. Për ne se është një, dy apo 242 Sali nuk ka problem. Në vendin tënd do vija këtu, do ti kërkoja falje për fyerjen që i bëre si karrocier i dehur. Përsa i përket shpifjes ke kohë që je futur në atë hulli.
Je një mbeturinë e KPD-së, asgjë më shumë se kaq kur vjen e flet këtu pa fakte, pa shifra, pa të vërteta. Gënjeshtra, gënjeshtra. i trajton të vërtetat sikur janë romane. Turp të të vijë për atë që fole nga fundi i sallës për Linditën.





