Një zbulim revolucionar nga Japonia mund të sjellë një kthesë të madhe në luftën kundër ndotjes plastike. Studiues nga Qendra për Shkencën e Materialeve në Zhvillim RIKEN dhe Universiteti i Tokios kanë krijuar një plastikë të re që shpërbëhet në ujë të kripur brenda vetëm pak orësh, pa lënë pas asnjë mbetje të dëmshme.

Në një demostrim të realizuar në laboratorin e tyre në qytetin Wako, pranë Tokios, shkencëtarët treguan sesi një copë plastike u zhduk brenda një ene me ujë të detit, pas përzierjes për rreth një orë. Ky material inovativ është projektuar të jetë shumë më i biodegradueshëm se plastikat ekzistuese dhe konsiderohet si një përparim i madh në fushën e shkencës së gjelbër.

Drejtuesi i ekipit, profesori Takuzo Aida, tha se ka interes të madh për këtë material, sidomos nga industria e paketimit, por ende nuk janë bërë publike planet për përdorim komercial.

Ky lajm vjen në një moment kur shqetësimet për ndotjen plastike janë gjithnjë në rritje. Sipas Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara, pritet që deri në vitin 2040 ndotja plastike në oqeane të trefishohet, duke arritur deri në 37 milionë tonë metrikë në vit.

Zbulimi i shkencëtarëve japonezë është pritur me entuziazëm nga komuniteti ndërkombëtar dhe mund të përbëjë një nga zgjidhjet më premtuese për të frenuar krizën globale të plastikës.