Nga Iva Tiço

Kur vjen puna te ndarjet, unë kam një teori timen: nuk ka fare rëndësi sesa e rëndësishme ka qenë lidhja ose ai tjetri, rëndësi ka se çfarë tipi je ti vetë, për t’u përballur me ndarjen. Sepse ndryshe nuk ka se si të shpjegohet se si shoqja ime e ngushtë edhe kur ndahet pas një lidhjeje nga ato të rëndësishmet, ku të duket se nuk mund t’i mbledhësh më copat e jetës që të është shkatërruar edhe kur ndahet nga ai ku procesi i ndarjes zgjat më tepër sesa vetë lidhja, sepse ajo nuk e do më, por s’di se si ta lërë dhe sajon lloj-lloj skenash derisa ia del të shkëputet, drama është po njëlloj.

Dhe po njëlloj është edhe mbështetja që kërkon nga ne, shoqet: kërkon të rrimë non stop me të ato ditët e para kur ajo qan, pastaj ato ditët gri kur buzëqeshja nuk i vjen edhe ndërsa vërdallisemi me orë të tëra nëpër dyqane dhe blejmë rraqe kuzhine apo rroba që s’do t’i veshim më shumë se një herë, edhe në ditët kur ajo ka nevojë të shkojë në kinema apo të nisë të dalë nëpër restorante në dreka e darka katër – pesë orëshe, ku të gjitha për herën e njëmijtë duhet të diskutojmë se përse lidhja e saj ka përfunduar dhe të japim me qindra shembuj lidhjesh të ngjashme nëpër botë…

E trembur se mos do fillojë nga e para gjithë ky mundim dal nga shtëpia për ta takuar, pasi ajo më ka shkruar se një natë më parë la atë tipin me të cilin kishte vetëm disa javë që dilte. E di që edhe me kaq pak, ajo është e zonja të bëjë ndonjë dramë të madhe të tipit “ka diçka që nuk shkon me mua që të gjitha lidhjet nuk ecin, ja kur nuk ecën dhe me këtë që ishte kot, e përfytyron dot se si mund të shkojë me ata që ia vlejnë vërtet?!”.

Jam e ndërgjegjshme, që duke qarë për një histori të tillë ajo mund të qajë nga e para për gjithçka që i ka ecur ters në të shkuarën, madje edhe përtej lidhjeve të qahet edhe për atë herën kur bashkë me disa revista të vjetra që ishin në bagazhin e makinës hodhi në plehra një palë këpucë Paccioti…

E di që më presin ca ditë të qarash dhe pastaj me radhë shëtitjet dyqaneve në një moment kaq të papërshtatshëm, kur karta ime e kreditit ka shkaktuar një të atillë gropë financiare ku mund të zhytem e të mos dal për jetë të jetëve, hallakatjet nëpër kinemara, restorante e klube që më prishin regjimin e më shkatërrojnë ditën….

Por nuk mundem ta shmang mikeshën time në një ditë të tillë dhe ja ku jam, në darkë vonë në kafenenë poshtë pallatit tim, ku ajo ka ardhur bashkë me qenushin e saj, një masë pellushi bezhë që i rri në prehër. Ndoshta prandaj nuk ka lot në sy, nuk do që të traumatizojë kafshëzën e gjorë. A e trajton gjithë kohës si fëmijë? E pra, fëmijët nuk duhen traumatizuar me lot dhe qyrravitje! Rrofshin qenushkat pra, që më bënë të shpëtoj nga skenat me lot! (sikur ta marrë me vete dhe kur të vijë radha e shopping-t do jetë gjëja më e mirë që mund të bëjë, sepse s’do na lënë të futemi fare ne dyqane dhe kështu shpëtoj dhe unë nga blerjet.)

Por gjithsesi bisedën nuk mund ta shmangim për fare besoj dhe duket se dhe ajo do të flasë, sepse porsa i them çfarë ndodhi, nxiton të hapë telefonin e të më tregojë. “Nuk shtyhej fare”, thotë shpejt e shpejt teksa nxiton të fusë kodin në celular e të gjejë chat-in në viber, “e sqarova mbrëmë që nuk ia vlente të takoheshim më, sepse s’do duroja as edhe një sekondë më ato bisedat e tij pa lidhje, u duk sikur më kuptoi dhe iku e më në fund mbeta rehat në shtëpi dhe nisa të shihja një film. Kur ja ku nisi me mesazhet. E sqarova dhe njëherë dhe i thashë që s’ja vlente të flisnim më. Më tha dakort. Po ja ç‘më shkroi prapë, nja dy orë më vonë, pas mesnate”….

Dhe nis të më lexojë se si ai fillimisht i ka nisur një zemër.
Pastaj ajo i ka thënë “po e përkeqëson duke shkruar, të lutem lerë me kaq. Më mirëkupto dhe lëre, natën”.
Dhe ai i ka thënë “në rregull, nuk të shkruaj më kurrë”
Por të nesërmen që pa gdhirë ai i ka shkruar: “Mirëmëngjesi, kam një ndjesi sikur më është përmbysur bota dhe nuk mund të marr frymë, këtë ndjesi e kam nga momenti që u ndava nga ty. Faleminderit që më bëre të ndiej këtë, kisha shumë kohë që nuk e përjetoja”.

Dhe ajo i është përgjigjur “më vjen keq, gjithsesi qetësohu se nuk do zgjaste më shumë se dhe dy tre takime tjera…”, sepse ajo kërkonte gjëra të tjera tek një mashkull dhe bla bla bla dhe se ai do mund të gjente dikë më të mirë se ajo që të përjetonte ndjesi të vërteta.

Dhe ai i kishte thënë “prit se po futem në mbledhje, të shkruaj më vonë”. Normal që ajo i kishte thënë të mos shkruante më, të kalonte bukur etj… Por ai pas mbledhjes, nja dy orë më vonë i kishte shkruar se vetëm donte ta sqaronte në lidhje me mesazhin e mëngjesit, se thjesht e kishte falënderuar për atë emocion që kishte kohë që nuk e ndiente dhe për gjithçka të bukur që kishin kaluar. Ajo s’ishte përgjigjur fare, e bindur që ai s’do shkruante më.

Por gabim. Një orë me vonë ai kishte nisur një tjetër mesazh: “Nuk rri më dot pa folur, nuk ndahen gjërat kështu”.

Ajo i kishte shkruar: “ I folëm të gjitha, s’lamë gjë pa thënë”.
Dhe ai ishte përgjigjur: “nuk me the si kalove sot në punë. E sheh që kemi ende shumë për të thënë? Edhe për të bërë?”

Ajo me nerv në kulm i kishte thënë që as i shkonte mendja të fliste e aq më pak të bënte ndonjë gjë me të dhe ai i ishte kthyer “po më ofendon, po e ekzagjeron”. Ajo i shkruante mos bëj drama, ai i thoshte “Nuk janë drama, por ti mesa duket nuk je përfshirë aq sa unë”. Ajo i thoshte nuk jam përfshirë fare, ai i thoshte që i urrente këto situata ku ishte përfshirë vetëm njëri…. Derisa më në fund shkruante që ndoshta ishte më mirë të mos i shkruante më kurrë.

Lexoj në ekranin e celularit dhe nuk u besoj syve? Kush është shoqja ime këtu dhe kush është mashkulli? A nuk janë mesazhet e tij fjalët që nëpër vite ne dhe shoqet tona u kemi thënë meshkujve?! Moooos?! Po që u paskemi çarë me të vërtetë dërrasat dhe s’e paskemi kuptuar fare?!

Teksa mikesha ime më thotë që të gjithë këtë histori po e lexon si një dënim kozmik, si një shenjë nga lart që nga nesër e tutje të mos bëjë më të tilla drama në telefon me atë që ndahet, ja ku vjen një tjetër mesazh prej atij. Ai që i thotë më fal për shqetësimin por a e njeh dikë që ka ai tek puna sepse i duhet një mendim…
Ja fiks, edhe ne e bëjmë këtë, gjejmë një pretekst për të folur nga e para.
Nëse nesër ai do nisë mesazh ku gjasme i thotë një shoku diçka në lidhje me një punë dhe pastaj direkt do shkruajë “më fal se e kam nisur gabim”, atëherë po, i paskemi ndërruar vendet përfundimisht.
Vetëm për një gjë jam kurioze: në këto raste po ata çfarë bëjnë në vend të shopping-ut?

/Tirana Post/