Një prokurore me origjinë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është kërcënuar me vdekje, pasi ndoqi penalisht dhe kërkoi dënimin e një burri që po protestonte jashtë një shkolle për përdhunimin e të bijës.

Ishte vetë prokurorja Buta Biberaj, ajo e cila kërkoi ndihmë nga autoritetet amerikne për sigurinë e saj. Prokurorja bëri me dije se ka marrë me dhjetëra telefonata kërcënuese për jetën kohët e fundit.

Mediat amerikane shkruajnë se Biberaj është një emigrante myslimane e gjeneratës së pare, e cila është portretizuar kohët e fundit nga grupime që i përkasin krahut të djathtë si një prokurore, që ka shënjestruar babain e një fëmije të përdhunuar.

Ajo është kritikuar edhe nga kandidati republikan për guvernator në Virxhinia, Glenn Youngkin, i cili tha në një fjalim të martën se prokurorja e Loudoun-it shënjestroi familjarët e viktimës.

“Kam marrë me dhjetëra kërcënime me vdekje të specifikuara drejt meje. Më së shumti janë kryer nëpërmjet telefonit. Kam marrë një telefonatë në numrin personal ku thuhej fraza “Po vijmë k**vë”. Kam marrë edhe një kërcënim në numrin e zyrës dhe flitej që do të më vrisnin”, tha ajo.

Nga krahu tjetër Biberaj pretendon se kërcënimet me vdekje janë shtuar shumë gjatë tre javëve të fundit.

“Kanë bërë deklarata të tilla që të mos shqetësohem për të parë nga mbrapa pasi do të vijnë nga para”, ka thënë ajo.

Prokurorja me origjinë shqiptare beson se telefonuesit kanë qëllim ta vrasin atë. Autoritetet po hetojnë rastin nuk japin të dhëna nëse deri më tani është arrestuar ndonjë person.

Por, cila është ngjarja për të cilën është kryqëzuar prokurorja shqiptare?

Bëhet fjalë për arrestimin e babait të një viktime përdhunimi në një shkollë, i cili u vu në pranga gjatë takimit të bordit të institucionit. Por pas një përleshje zyra e sherifit e arrestoi dhe jo prokuroria.

Prokurorja shqiptare ka thënë se policët nuk ishin në dijeni që i arrestuari ishte babai i një viktime përdhunimi kur e arrestuan. Biberaj ka shtuar se zyra e saj nuk kishte për qëllim që të shënjestronte babain, por ka hapur procedimin penal pas referimeve të bëra nga Sherifi. Ajo ka shtuar se çështja e tij është në apel, ndërsa babai ka thënë se do të padisë Qarkun Loudoun.

Biberaj tashmë është e frikësuar për jetën e vet dhe thuhet se po mendon që të punësojë roje privatë. Ajo është goditur shumë nga grupet e djathta. Biberaj ka reaguar ashpër edhe ndaj kandidatit republikan për guvernator.

“Kjo më shqetëson mua, dikush që kandidon për guvernator dhe nuk është i interesuar për sigurinë e komunitetit, por e ndez atë. Kjo duhet ta bëjë atë të papërshtatshëm për të qenë guvernator”, tha ajo.