I ftuar këtë të premte në Euronews Albania në Balkan Talks me Franko Egro, kolonel Sami Neziri, ekspert i çështjeve të sigurisë, tha se arsyeja kryesore që nuk po arrihet një marrëveshje Iran-SHBA është sepse Irani nuk ka një qëndrim të unifikuar.

Sipas tij, Irani është i ndarë në dy kampe, ku njëri krah do që të bëhet një marrëveshje sa më e shpejtë me SHBA-në dhe krahu tjetër që përfshin Gardën Islamike, e cila sipas tij drejton si jashtë dhe brenda Iranin, dhe nuk do të arrijë një marrëveshje.

“Arsyeja pse raundi i parë i negociatave dështoi dhe ka pasur hezitim për të ardhur në raundin e dytë është se Irani nuk ka një qëndrim të unifikuar.

Brenda Iranit ka disa aktorë që kërkojnë negociata për t’i dhënë fund konfliktit, por është krahu tjetër, Garda Islamike që ka kontrollin dhe ekipi negociator që ka qenë në Pakistan nuk ka pasur ekipin e duhur për të marrë vendim, sepse presioni ka qenë shumë i madh nga Garda Revolucionare, e cila ka vazhduar aktivitetin e saj në Ngushticën e Hormuzit për të goditur anijet, për të vendosur minat dhe për të treguar që e ka ajo kontrollin e situatës qoftë brenda në Iran dhe në rajon.

Trump me ndërmjetësimin e Pakistanit, por edhe Turqia, por ka qenë ndërhyrja e Pakistanit tek Trump për t’i dhënë një mundësi Iranit që të unifikojë qëndrimet për t’i dhënë një zgjidhje.

Kërkesat e Trump dihen, heqja dorë nga programi bërthamor, hapja e ngushticës dhe mosmbështetja e proksit në rajon”, u shpreh koloneli.