TIRANE – Ekspertët e hetimit dhe parandalimit të zjarreve, si dhe përfaqësues të Policisë së Tiranës kanë kryer një ekspertim të plotë në banesat e djegura në fshatin Derje të Tiranës, dhe kanë dalë në konkluzionin se zjarret janë të qëllimshme. 

Policia bën të ditur se ka nisur punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve që u kanë vënë flakën 10 shtëpive private në më pak se 10 ditë, në fshatin Derje të komunës Shëngjergj në Tiranë. 

Zjarret, që ndizeshin gjatë mesditës, kanë nisur që në datën 27 nëntor. Ndërsa shtëpia e fundit është djegur gjatë ditës së premte. 

Me anë të një letre drejtuar televizionit NEWS24, banorët e këtij fshati shprehen se pavarësisht denoncimit të vazhdueshëm në komisariatin numër 4, djegia e banesave vijon ende. Banorët kërkojnë që nga ana e institucioneve ligjzbatuese të gjendet një zgjidhje për një problem të cilin ata e konsiderojnë madhor. 
 

Shtëpitë e djegura janë të: 

1. Mexhit Masha 
2. Bukurie Balliu 
3. Ymer Puka 
4. Xhelal Pyka 
5. Hasan Pyka 
6. Refat Pyka 
7. Zyber Dinga 
8. Nezir Dinga 
9. Haxhire Lupja 
10. Bilal Musa