I ftuar pasditen e sotme në studion e ‘Breaking’, në Top News ka qenë avokati Roemo Kara.

Kara së bashku me moderatoren Dafina Hysa kanë diskutuar për arrestimin e kreut të Partisë së lirisë Ilir Meta.

Teksa avokati ka ngritur tonet në studio, ai shprehet se Meta nuk duhet të merret përsipër nga asnjë avokat për mbrojtjen e tij, teksa e konsideron si turp i vendit.

“Të gjithë në pushtetin e lartë pa dallim ngjyre janë mekur, janë fikur. Do jetë më kuptimplote kur t’ju marrin pasuritë. Nëse këta, kokat e mëdha të shtetit, përfshi Ilir Metën nuk dalin të shesin banane, t’ua çojnë në zero pasurinë, s’do ketë drejtësi Shqipëria.

Këta e morën pushtetin pa meritë, ja ku përfunduan, ajo është medalja e turpit që e ka në kokë Meta dhe ja ku është. Berisha tani ka me qindra prona, nga kati 8 do dal të mbrojë Metën. Ku e gjeti moralin Sali Berisha?!

Meta nuk është Zoti, as Zeusi që të mos arrestohej në atë formë. Nëse Gjykata e ka vendosur ka mbaruar ajo punë.

Nëse do të merret dhe investimi i paligjshëm që i është bërë asaj force politike, që unë kam bindje që është bërë, rritet edhe dënimi I Kryemadhit.

Besoj se Kryemadhi do të reagonte shumë më mirë se Meta nëse do ishte në momentin e arrestimit. Meta e ka humbur me kohë kontrollin e vetes.

Ato dosje janë të pakundërshtueshme, t’i gezojnë, t’i shohin hajrin. Ai s’duhet marrë nga asnjë avokat, se është një nga turpet e këtij vendi.”- u shpreh në studio Romeo Kara.