Policia Kufitare e Himarës ka ndërhyrë në dy raste emergjente gjatë 24 orëve të fundit në Gjirin e Filikurit, duke u ardhur në ndihmë pesë turistëve të huaj.

Në rastin e parë, katër turistë, dy shtetas suedezë dhe dy britanikë, mbetën të bllokuar gjatë një lundrimi me kajak për shkak të erës së fortë dhe dallgëve. Pas kërkimeve, ata u lokalizuan pranë zonës së njohur si “Guri i Kuq” dhe u evakuuan në siguri.

“Në rastin e parë, katër turistë të huaj, dy shtetas suedezë dhe dy nga Mbretëria e Bashkuar, të cilët kishin dalë me kajak nga zona e Potamit në drejtim të Filikurit, humbën kontaktin me grupin dhe mbetën të bllokuar për shkak të erës së fortë dhe dallgëve. Pas njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare organizuan menjëherë kërkimet përgjatë vijës bregdetare dhe arritën t’i lokalizojnë pranë “Gurit të Kuq”. Turistët u evakuuan në mënyrë të sigurt“, njofton Policia.

Në rastin e dytë, një turiste australiane, e cila kishte pësuar dëmtime fizike dhe ndodhej e bllokuar në Gjirin e Filikurit, u transportua nga Policia Kufitare drejt Portit të Himarës dhe më pas u dërgua në spital për trajtim mjekësor.

Në rastin e dytë, një shtetase australiane kërkoi ndihmë pasi kishte pësuar dëmtime fizike dhe ndodhej e bllokuar në Gjirin e Filikurit. Menjëherë u angazhua mjeti lundrues i Policisë Kufitare, i cili bëri të mundur lokalizimin dhe transportimin e saj drejt Portit të Himarës, ku më pas u dërgua për trajtim mjekësor në spital. Turistët falënderuan shërbimet e Policisë për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar“, njofton Policia.