Kontrolle të shumta e nën blicin e aparatit fotografik kanë kaluar sot autobusët e linjave që kanë bërë rrugën nga Durrësi drejt Tiranës.

Qytetarë durrsakë që kanë shkuar sot në kryeqytet me autobusë linje, nga ata të zakonshmit që nisen nga stacioni i trenit dhe jo autobusët që kishte organizuar Partia Demokratike, tregojnë për “DurrësLajm” se gjatë udhëtimit të tyre janë ndaluar 3 herë nga policia. Po ashtu, drejtuesit të mjetit i është kontrolluar i gjithë dokumentacioni në të gjitha rastet e ndalimit. Në njërën prej pikave të ndalimit, uniformat blu madje kanë fotografuar autobusin e linjës.

Policia e Shtetit është vënë në gatishmëri të plotë për protestën që ka organizuar opozita e bashkuar për rrëzimin e qeverisë Rama. Janë mbi 1500 efektivë policie të cilët janë angazhuar gjatë ditës së sotme, për të garantuar mbarëvajtjen e protestës, ndër të cilët efektivë të Rendit, të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të repartit Shqiponja, të Reneas dhe oficerë të Antiterrorit.