14 nëntor 2015 – Në momentet e tmerrit që ka pushtuar Francën, e gjithë bota po solidarizohet me mesazhe mbështetjeje. Edhe krerët më të lartë të shtetit tonë kanë shprehur ngushëllimet e tyre për sulmet terroriste që shënuan me qindra viktima, e njëherësh kanë shprehur edhe indinjatën ndaj akteve barbare ekstremiste.
 
Nishani: Akte barbare që synojnë të trembin mbarë botën, populli shqiptar ju mbështet

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh ngushëllimi homologut të tij, presidentit francez Hollande.

“Aktet e mbrëmshme terroriste në Paris më tronditën pa masë dhe e gjithë mendja e zemra ime janë në këto moment me Ju, me popullin dhe autoritetet franceze. Në emrin tim dhe të popullit shqiptar, i përcjell ngushëllimet më të ndjera e të sinqerta familjarëve të viktimave, Juve, popullit dhe Qeverisë franceze. Të lënduarve i uroj shërim sa më të shpejtë. I dënoj me forcën më të madhe këto akte barbare terroriste dhe ekstremiste që synojnë të trembin dhe terrorizojnë, jo vetëm Francën dhe francezët, por mbarë botën e qytetëruar dhe demokratike. Ju siguroj për mbështetjen dhe solidaritetin e plotë, timen dhe të popullit shqiptar me autoritetet dhe popullin francez, për kapërcimin sa më shpejt të kësaj situate tronditëse e kritike. Me ndjenjë të lartë solidariteti, ju lutem pranoni, Shkëlqesia Juaj, ngushëllimet e mia më të sinqerta”.

Meta: Terroristët s'mund të cenojnë vlerat e demokracisë

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta i ka dërguar nje mesazh ngushëllimi e solidariteti kryetarëve të Parlamentit dhe Senatit të Francës, Claude Bartolone dhe z. Gerard Larcher pas masakrës në Paris. 

“Shqiptarët janë shokuar nga sulmet terroriste në Paris. Jemi të gjithë përkrah jush në këto momente kritike. Shqipëria pranë Francës për të mbrojtur vlerat universale demokratike që na bashkojnë. Terroristët nuk mund të cenojnë lirinë dhe vlerat e shoqërisë franceze. Solidaritet me popullin mik francez dhe të gjithë qytetarët e Parisit. Qëndrojmë përkrah aleatëve tanë në luftën e pandalshme kundër terrorizmit”.

Rama: Është një luftë e vërtetë!

Kryeministri Edi Rama e ka quajtur një luftë të vërtetë atë që po ndodh në Francë.
“Është një luftë e vërtetë Shqipëria mbështet plotësisht Francën dhe qeverinë e saj në këto momente horrori”, shkroi Rama në Facebook në orët e para të mëngjesit.

Basha: Trondtije për aktet e çmendura terroriste

Edhe lideri i opozitës shqiptare Lulzim Basha është sensibilizuar me aktet terroriste në Paris. Ai i quan akte të çmendura dhe shpreh ngushëllimet për viktimat e pafajshme.

“Mbarë shqiptarët kanë ndjekur me tronditje dhe pikëllim të thellë pasojat tragjike të akteve të çmendura terroriste mbrëmë në Paris. Në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë shpreh ngushëllimet e mia për viktimat e pafajshme të kësaj masakre barbare. Mendimet dhe lutjet tona janë me familjet e viktimave dhe mbarë popullin francez”.

Gjermeni: Të gjithë bashkë i japim përgjigjen e duhur çdo akti terrorist

Ministrja Eglantina Gjermeni ka shprehur ngushëllimet e saj për ngjarjen tragjike në Francë.

“Ministrja e Zhvillimit Urban, ashtu si çdo qytetar shqiptar dhe i çdo vendi demokratik është pranë familjeve të viktimave, qytetarëve francezë, që janë gjithmonë simbol i lirisë dhe demokracisë. Terrorizmi nuk do të mund kurrë të rrëzojë atë çka popujt dhe qeveritë kanë ndërtuar e do vazhdojnë të ndërtojnë për një botë në paqe e harmoni. Zemrat dhe lutjet tona shkojnë çdo minutë për Parisin. Duke qëndruar të gjithë bashkë, i japim përgjigjen e duhur çdo akti terrorist që kërkon të frikësojë botën demokratike”.

Topi: Terrorizmi hapi sërish

Ish-presidenti Bamir Topi shprehu tronditjen sulmi që ai e quan mizor në Francë. 

“Dhimbje dhe zemërim për sulmet në Paris. Terrorizmi hapi sërish”.

/portali DurresLajm/