Nga Gertjana Daçi

Floriana Garo është fytyra më e re politike e Partisë Demokratike, por jo e panjohur për publikun shqiptar. Për shumë vite ka moderuar emisionin “Jo vetëm mode” ndërsa prej muajit mars të këtij viti është zëdhënësja e fushatës së PD-së në zgjedhjet e 25 prillit.

Një lëvizje surprizë kjo duke qenë se ajo nuk e kishte shprehur më parë dëshirën për të qenë pjesë e politikës, edhe pse emri i saj është lakuar si pjesë e listave të kandidatëve demokratë prej kohësh apo edhe “paralajmërimit” që do të rikthehej në vëmendje të publikut në një formë apo në një tjetër.

Në një intervistë për “DurrësLajm”, Garo rrëfehet mbi këtë eksperiencë të re që e zhvendosi nga Zvicra në Tiranë.

Pritja entuziaste që iu bëhet demokratëve dhe pozitiviteti gjithmonë e në rritje i njerëzve, për zëdhënësen e PD-së do të thotë që partia po bën fushatën e duhur.

Krahas deklaratave denoncuese për mediat, Garo ka zbritur në terren bashkë me kandidatet demokrate në disa zona të qarkut të Durrësit, ku ajo shprehet se ka parë dëshpërimin e qytetarëve të prekur nga tërmeti dhe pandemia, të cilët nga zgjedhjet e 25 prillit presin ndryshimin.

Zonat e varfra të Durrësit dhe problematikat që e shoqërojnë qytetin e saj të lindjes i ka njohur edhe përmes emisionit që prezantonte vite më parë. Duke u ndalur te vendlindja e saj, të cilin e konsideron qytetin e zemrës, Floriana shprehet se Durrësi i fëmijërisë tashmë ka ndryshuar tërësisht.

“Mbaj mend një Durrës tjetër, me plazh shumë shumë të madh, të paprekur nga ndërtimet, të bekuar nga natyra me gjelbërim dhe shumë ndryshe nga ai që është sot, sot bregdeti është tërësisht i ndërtuar.”

Ajo nuk zgjedh të përmendë një emër politikaneje që vlerëson, pasi siç thekson, në këtë garë janë të gjitha së bashku, por veçon një politikane të ardhshme, kandidaten demokrate në Elbasan, shkrimtaren Flutura Açka, për të cilën thotë se ka qenë fanse e shkrimeve të saj.

“Mendoj se është një grua me një guxim të jashtëzakonshëm, që pavarësisht dramave që i kanë ndodhur në jetë, vendos të kontribuojë për vendin, sepse ajo ka vërtetë se çfarë jep.”

Fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit, Floriana mezi e pret dhe ndaj e pyetur se si e sheh veten pas kësaj date, zëdhënësja demokrate shprehet se do të jetë aty ku ajo do të kontribojë dhe shërbejë më mirë për vendin.

Por krahas impenjimeve në politikë, Floriana ka dhe angazhime në familje, si bashkëshorte dhe nënë e dy fëmijë të mitur, vajza 3 vjeçe dhe djali një vjeç e disa muajsh.

Menaxhimi i kohës mes punës dhe familjes tashmë është më i vështirë, të vegjlit ende kërkojnë vëmendjen e të ëmës dhe për ta përbën habi fakti që e shikojnë atë nga ekrani i televizorit. Kjo sepse gjatë qëndrimit në Zvicër, Floriana nuk i ka njohur fëmijët me jetën e mëparshme. 

Për kujdesin ndaj tyre, mbështetje e madhe për Garon është i shoqi, i cili aktualisht e ndan jetën mes Zvicrës dhe Tiranës duke menaxhuar bizneset dhe sigurisht, duke i qëndruar pranë bashkëshortes. Ndaj dhe Floriana, me buzëqeshjen që e karakterizon, me të drejtë nuk ngurron ta konsiderojë veten me fat.

Roli i zëdhënëses e ka rikthyer sërish në vëmendjen e publikut dhe kjo ka bërë që Garo të mos e ndjejë mungesën e moderimit. Por edhe pse në ekipin demokrat, ajo në intervistën për “DurrësLajm”, shfaqet e veshur me një fustan në ngjyrën e partisë së kundërshtarëve politikë. 

Duke qeshur, Floriana thotë se kampi kundërshtar nuk ka një ngjyrë të përcaktuar.

“Këto janë ngjyra që mua më kanë shkuar gjithmonë, i kam pëlqyer. Mendoj se ngjyrat janë të gjithkujt, nuk janë të partive.”

Por pavarësisht batutave të mësipërme, në fund, zëdhënësja demokrate shprehet se është pjesë e partisë së vlerave ndërsa thekson rëndësinë që ka pjesëmarrja sa më e lartë e qytetarëve në votime në ditën e zgjedhjeve.

“Vetëm kështu do arrijnë që të ndihen pjesë e ndryshimit që po vjen.”

Sipas saj, njerëzit duhet të luftojnë për të mbajtur gjallë shpresën, për të ndryshuar dhe për të ndikuar në të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre.