Vangjush Dako duhet t’i bëjë mirë llogaritë, nëse do që paketa fiskale e buxheti i bashkisë të miratohen për t’i hapur rrugë investimeve publike në bashkië e madhe të Durrësit. Nëse pretendon që të realizojë premtimet e dhëna në zgjedhje i duhet të shtrijë dorën e bashkëpunimit me opozitën e bashkuar. Për aq kohë sa LSI-ja ishte në koalicion. me një të rënë të lapsit janë miratuar vendimet e bashkisë në Këshillin Bashkiak.

Kjo situatë vijoi edhe pas zgjedhjeve për aq kohë sa drejtorët në nivel lokal të LSI-së ishin akoma në punë. Me të nisur reforma në nivel lokal ndryshuan edhe balancat në vendimmarrjen e parlamentit të qytetit. LSI-tët dolën në opozitë dhe bashkojnë votat me PD-në duke i bërë me jo pak “dhimbje” koke drejtuesit e qeverisjes lokale.  

Bashkia e Durrësit propozoi që në paketën fiskale të 2018 të rritej me 50 lekë për metër katror taksa e plazheve private, për të bërë të mundur vendosjen e kullave të vrojtimit. Në aspektin social ju dha një ndihmë të madhe familjeve të varfra me pak të ardhura duke zeruar ose ulur në maksimum tarifat në çerdhe dhe kopshte.

Zero taksa parashikoi bashkia në fshatrat ku nuk ofron shërbim pastrami, gjelbërimi, ndriçimi etj. Në emër të këshilltarëve socialistë, Alfred Mullaraj, tha se bashkia ka ruajtur të njëjtin nivel taksash si dhe bëri publike uljen e tarifave në çerdhe e kopshte.    

Këshilltarët e PD dhe LSI kërkuan që disa tarifa të ulen, ndërsa një pjesë tjetër të bëhen zero. Shkëlqim Fortuzi dhe Armand Teliti propozuan që të mos rritet tarifa e plazheve private, në zonën e fshatit të hiqet tarifa e parkimeve, jo vetëm në zonat e cilësuar si qendra të këtyre njësive, si dhe rishikim të taksës fikse për banesat private.

Këto propozime nuk u morën fare parasysh, por u hodhën në votim direkt, duke bërë që në sallë të pllakoste heshtja. Këshilltarët e PS-së ishin mësuar që gjithmonë, përveç anëtarëve të tyre, të votonin si ata edhe këshilltarët e pozicionuar në qendrën e tavolinave të Këshillit Bashkiak, aty ku ulen këshilltarët e LSI, që kryesisht kanë ngritur të njëjtën ngjyrë kartoni me PS-në.

Por paketa fiskale me 20 vota kundër të këshilltarëve të PD dhe LSI, 19 pro të këshilltarëve të PS-së dhe një abstenim nga PDIU nuk u miratua. Tashmë pritet që propozimet e PD e të LSI-së  të shqyrtohen sërish nga komisionet përkatëse, derisa të zhvillohet mbledhja e radhës së këshillit bashkiak.

Dako është i detyruar të gjejë gjuhën e kompromisit në Këshillin Bashkiak nëse do të miratojë vendime të rëndësishshme.

Me një qeverisje të konsoliduar në nivel qendror dhe atë lokal, katër vitet e shkuara e bënë jo pak “arrogante” vendimmarrjen në çdo nivel.

Këshilltaët e PD-së kanë ngritur jo pak herë zërin, por zëri i tyre ishte krejtësisht i pavlerë në bërjen e opozitës qendrore e lokale.

Në Durrës, një PS e LSI e bashkuar i kishin dhënë Dako fuqi të plotë. Ndërsa qeverisja qendrore është e vetme në duar të PS-së, po ashtu edhe vendimmarrja me shumicë në parlament, e kundërta ndodh në nivel lokal.

LSI-ja kaloi në opozitë dhe vendimmarrja e PS është më e dobët se kurrë në nivel lokal. Dako ka një detyrë të rëndësishme përpara. Duhet të bindë këshilltarët se bashkia po punon për qytetarët, e jo në pak raste kur këshilltarët të propozojnë ndryshime duhet t’I diskutojë ato e pse jo edhe t’i miratojë.