Në Berlin zhvillohet sot Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor, thirrur me ftesë të kancelares Merkel dhe presidentit francez Macron. Raportet e fqinjësisë në Ballkan si dhe kërkesa për vijimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit pritet të jenë temat më kryesore gjatë diskutimeve në këtë samit.

Shqipëria do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama dhe ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Ndërsa Kosova nga Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj. Serbia dhe Mali i Zi gjithashtu do të përfaqësohen nga presidenti dhe kryeministri.

Ndërsa Maqedonia e Veriut do të përfaqësohet nga kryeministri Zaev. Pikërisht takimi i zonjës Merkel me kreun e ekzekutivit të Shkupit do të jetë i pari që do të çelë serinë e takimeve, sipas axhendës së publikuar nga zyra e shtypit e kancelares gjermane.

Më pas kancelarja gjermane do të zhvillojë një bisedë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, që do të pasohet nga një tjetër bisedë dypalëshe mes saj dhe presidentit Macron e që më pas do t’ia lërë vendin konferencës së përbashkët për shtyp.

Ndërkohë, pasi të mbërrijnë krerët e shteteve nga Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Sllovenia, shefja e Politikës së Jashtme të BE-së Federica Mogherini dhe Komisioneri Hahn do të nisë në tërësi samiti i Ballkanit Perëndimor, me një sesion pune dhe më pas një darkë pune.

Nisma e kancelares Merkel dhe presidentit Macron në radhë të parë duket një përpjekje për të tejkaluar bllokadën e krijuar në bisedime, por edhe një kritikë e rreptë ndaj Brukselit, që dështoi jo vetëm të gjejë një zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por madje edhe për t’i bindur palët që të kthehen në tryezën e bisedimeve.