Partia Demokratike i ka kërkuar Prokurorisë të dhëna në lidhje për procedurat e verifikimit të Valdrin Pjetrit.

Një ditë më parë, PD publikoi dokumente të cilat, sipas saj, provonin se Pjetri ka qenë i dënuar në Itali për “shpërndarje, prodhim dhe trafikim i lëndëve narkotike dhe lëndëve të tjera të paligjshme psikotrope”, të kryer në bashkëpunim.”

Në letrën e dërguar nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, ndaj Prokurorisë, vihet në dukje dhe vonesa e kësaj të fundit për të dhënë informacion zyrtar në lidhje me çështjen e Pjetrit.

“Për fat të keq, ky reagim nuk ka ardhur ende, duke zhbërë qëllimin primar që ka ligji i dekriminalizimit. Sipas këtyre të dhënave rezulton se Valdrin Pjetri është i dënuar nga Gjykata e Firences, me vendimin e formës së prerë të datës 12 Qershor 2003, me 18 muaj burg dhe 1000 Euro gjobë, për veprën penale “shpërndarje, prodhim dhe trafikim i lëndëve narkotike dhe lëndëve të tjera të paligjshme psikotrope”, të kryer në bashkëpunim.”– shkruan zoti Bardhi.

Bardhi ka paralajmëruar Prokurorinë duke u shprehur se: "çdo vonesë e pajustifikuar për rezultatin e këtij verifikimi është rreshtim në anën e krimit të organizuar dhe promovimit të tij në funksione të larta publike.”