Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në një deklaratë për mediat ka reaguar në lidhje me Komisionin e Venecias.

Balla ka bërë me dije që mirëpritet nga PS një opinion i pjekur nga Komisioni i Venecias, teksa ka akuzuar Presidentin Meta se kërkon ta fusë vendin në një spirale.

“Duhet refuzuar përpjekja e Ilir Metës për ta futur vendin në një spirale dhe një aventurë të papranueshme, për sa kohë që deri më 25 prill kanë mbetur edhe 180 ditë. Ilir Meta për asnjë moment me këtë dekret nuk ka pasur qëllim përmirësimin e kuadrit ligjor zgjedhor në Shqipëri. Pozicioni i tij ekstremist ka qenë sabotimi dhe pengimi i zgjedhjeve të 25 prillit. Për PS, grupin e saj parlamentar dhe shumicën në këtë Kuvend, Komisioni i Venecias është gjithmonë i mirëpritur për të sjellë një opinion të pjekur, i cili sipas traditës të vendosur nga ana jonë, do të diskutohet nga të gjitha forcat politike dhe do të adresohet në çdo çëshje që mund të dalë edhe përtej 25 prillit. Nuk kemi kohë për aventurë, por implementimi i ligjit zgjedhor kërkon kohën e vet dhe duke qenë se kemi Kod Zgjedhor ku qytetarët shqiptar për herë të parë do votojnë për subjektet dhe kandidatët zgjedhor”, ka thënë Balla.