Përmes një postimi në Facebook, ish-deputeti i PD-së, Gazment Bardhi shkruan se ndërkohë që vendi është mbërthyer nga kriza, Edi Rama zgjedh të kalojë fundjavën në Paris.

Bardhi shprehet se këtë Rama e ka bërë duke shfrytëzuar avionin e Air Albania-s si charter personal.

Ai shton se në këto ditë kaq të vështira për qytetarët si mundet që një kryeministër të shpenzojë për luksin e tij 100.000 euro të shqiptarëve për charter personal.

“Ndërkohë që vendi është mbërthyer nga kriza, Edi Rama zgjedh të kalojë fundjavën në Paris. Duke shfrytëzuar avionin e Air Albania-s si charter personal, Kryeministri ka kaluar këtë fundjavë në Paris pa dhënë asnjë shpjegim apo njoftim zyrtar për arsyet e këtij udhëtimi.

Për ç’arsye Edi Rama përdor avionin e shtetit shqiptar si plaçkë personale? Në këto ditë kaq të vështira për qytetarët si mundet që një kryeministër të shpenzojë për luksin e tij 100.000 euro të shqiptarëve për charter personal?

Ndërkohë që ka ende shumë shqiptarë që presin të riatdhesohen ai përdor avionin e shtetit shqiptar për arsye personale. Si mundet që Kryeministri ta trajtojë shtetin si pashallëk dhe të plotesojë qejfet e veta për udhëtime turistike ndërkohë që shqiptarët janë më të varfër se kurrë?

RAMAVIRUSI që ka shkatërruar ekonominë e shqiptarëve, që ka varfëruar dhe lënë të papunë shumicën e tyre, shpërdoron fondet publike për interesa personale.

Shqipëria nuk është pashalleku i Edit të Surrelit. Mosha dhe zullumet e kanë plakur autokratin në ikje, që po braktiset çdo ditë nga qytetarët e ndershëm shqiptarë”, shkruan Bardhi.