Kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës Lulzim Basha janë kanë debatuar këtë të shtunë në distancë sa i përket datës së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.  Basha në një postim në Facebook, teksa bënte thirrje për protestën e 21 qershorit, shkruan se 30 Qershori është varreza politike e Edi Rames.

“30 qershori është varreza politike e Edi Ramës, shokut të avdylajve dhe bandave të krimit. Shqiptarët janë ngritur në këmbë në betejën kombëtare për Shqipërinë si gjithë Europa. Boll më me Shqipërinë që duan vetëm ata! Tani është koha për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve! Asnjë hap pas! #21qershor”, shkruan Basha.

Por Rama iu kundërpërgjigj nga Korça, ku ishte për fushatë elektorale. Ai tha se nuk e kishte zgjedhur vetë këtë situatë, por opozita ka hequr dorë vetë nga zgjedhjet. Kryeministri po ashtu tha pse nuk shtyn datën e zgjedhjeve lokale.

“Duke kujtuar se evitonim një të keqe, ne do bënim të keqen më të madhe të mundshme. Duke ikur një momenti të vështirë sot, ne do të shtrinim të keqen për vite të tëra nesër. Ky është një film që ne e kemi parë. Dy vjet më parë, ata ikën, ndërtuan një bunker plastmasi poshtë zyrës sime dhe vazhduan avazin. Dhe çfarë ndodhi, morën gjithçka kërkuan. Isha unë Romeua i asaj kohë, që iu luta Xhulietës siç nuk do kisha pasur fuqi t’i lutesha gjithë vajzave të bukura të Korçës gjithë jetën time. Në fund e binda Xhulin, mori gjysmën e qeverisë. Gjysmën më me peshë”, tha Rama.