Kreu i PD-së, Lulzim Basha i është bashkuar mbrëmjen e sotme banorëve të Unazës së re, në protestën e tyre.

Duke folur për mediet, Basha u shpreh se nesër do të bëhen publike me dokumente se si Rama e Veliaj, ndryshuan planin urbanistik për t’i dhënë një të dënuari për trafik droge, pallate.

“Kjo është një vepër korruptive përmes një kompanie fantazëm. Për të çuar deri në fund projektin e tyre, kërkuan të shkatërrojnë 1000 shtëpi, vetëm për të çuar në fund projektin e porositësit, Edi Rama. Nesër PD do të publikojë një pjesë tjetër, po kaq të errët korruptive. Jo vetëm që Edi Rama ka dashur të vjedhë 40 milionë euro nga buxheti i shtetit, por së bashku me krimin e organizuar kërkon të ndërtojë pallate shumë katëshe. Nesër do të tregojmë se si Rama e Veliaj ndryshuan planin urbanistik për ti dhënë Edmond Begos leje për të ndërtuar mbi rrënojat e shtëpive tuaja. Një njeri i dënuar për trafik droge, do të ndërtonte pallate shumëkatëshe, për të pastruar paratë e drogës”,deklaroi Basha.