Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Rama se subvencionet e AZHBR-së për fermerët i ka shpërndarë në mënyrë klienteliste.

Basha sjell në vëmendje përurimin e një ferme në Divjakë në të cilën ai thotë se kryeministri ka qenë dy herë, në 30 maj të vitit të kaluar dhe 30 maj të këtij viti.

Në një video bashkëngjitur mesazhit të tij në Facebook, kreu demokrat tregon se ferma në fjalë, Ferma Kokoneshi, është në pronësi të kushëririt të parë të kryetarit të Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshit.

“Ndërkohë që RAMAVIRUSI po shkatërron agrobiznesin vendas, ideatori dhe zbatuesi i këtij shkatërrimi, vjet në 30 maj dhe këtë vit po në 30 maj shfaqet duke përuruar të njëjtën fermë në Divjakë.

Është e qartë se subvencionet e AZHBR-së për fermerët si çdo fond publik në Shqipëri janë vetëm në dispozicion të klientëve të Edi Ramës, të miqve dhe oligarkëve të tij. Pasi rrënuan ekonominë dhe zhvatën paratë e shqiptarëve, cirku kryeministror i rikthehet objekteve që ka përuruar më parë me shpresën se shqiptarët do t’i besojnë shfaqjet me regji qëndrore të ERTV-së.

Edi Rama i ka zhytur shqiptarët në varfëri dhe papunësi, e ka rrënuar ekonominë dhe biznesin e ndershëm dhe po e çon agrobiznesin drejt falimentimit. Asnjë formë propagande nuk i mbulon dot gënjeshtrat e Edi Ramës, që është përgjegjësi kryesor për krizën e thellë që po kalon çdo sektor i ekonomisë shqiptare.”- shkruan Basha.