Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, është shprehur nga selia blu se më 30 qershor nuk do të zhvillohen zgjedhjet lokale.

Basha tha se qeveria nuk mund të shkarkoj presidentin Ilir Meta, ndërsa theksoi se mbështet totalisht vendimin e tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorin.

Ai i tha se kërcënimi i kryeministrit Edi Rama për shkarkiinm të presidentit është një blof, siç janë dhe pretendimet për zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor.

“Është një periudhë e mjegullt politike, shqetësuese dhe ngatërruese për njerëzit, prandaj dua të ndaj me ju disa të vërteta dhe mendime. Dua të them që në fillim dy të vërteta:

Nuk do të ketë zgjedhje lokale në 30 qershor.

Nuk do të shkarkojë kush Presidentin e Republikës.

Edi Rama po përpiqet të bombardojë opinionin publik me dy përbetime, që ai as nuk i mban dot, dhe as nuk ka interes t’i provojë: Ai po përbetohet se do t’i mbajë zgjedhjet edhe pa dekret presidencial, edhe pa pjesëmarrje politike. Ai po përbetohet gjithashtu se do të nisë procedurat për shkarkimin e Presidentit. Janë të dyja bllofe dhe zhurmë me qëllim shpërqendrimin e vëmendjes tuaj. Edi Rama nuk do që të flitet për krimin, drogën dhe vjedhjet e tij të përditshme. Ai nuk do që të flitet për Avdylajt dhe Dakot, për Çyrbet dhe Shullazët, për Gjiknurët, Manjat dhe Lalët. Edi Rama po kërkon të vërë në skenë një telenovelë me dramacitet zgjedhor dhe presidencial, me shpresën që të harrohet fakti, se Astrit Avdylaj është de fakto kryetari i Partisë Socialiste të Durrësit, kryebashkiaku i Durrësit, kryepolici, kryedoganieri dhe kryetatimori i Durrësit. Ky, është fakti më i rëndësishëm politik i gjashtë viteve të fundit: fakti që provoi shkrirjen në një të krimit, Partisë Socialiste dhe qeverisjes socialiste. Meqë disa socialistë sot kanë dëshirë të flasin për shkarkimin e Presidentit, kam një pyetje për ta? Kush do ta gjykojë dhe shkarkojë Presidentin? Ilir Ndrazhi përfaqësuesi politik i bandës së Avydylajve apo Jurgis Çyrbja, përfaqësuesi politik i bandës së Shullazit, Rrahman Rrahja apo Luan Harusha përfaqësuesi i bandës së Bajrave, apo Reme Lala, përfaqësuesja e familjes kriminale Lala? Kush do ta gjykojë dhe shkarkojë Presidentin, Damian Gjiknuri që donte të pastronte 30 milonë euro për llogari të Edi Ramës, duke fallsifikuar edhe dokumentat zyrtare të qeverisë amerikane? Apo Arben Ahmetaj përfaqësuesi i një klani mafioz ndërkombëtar të plehrave? Apo Taulanti i Begos dhe i Toyota Yaris? Nuk më takon as mua të gjykoj vendimin e Presidentit, ndonëse e mbështes plotësisht. Politikisht unë mund të them që zgjedhjet moniste nuk janë zgjedhje. Politikisht unë mund të them se vendimi kushtetues dhe i përgjegjshëm i Presidentit i shërben njerëzve dhe interesit publik. Përtej cdo mendimi individual, ka një dhe vetëm një institucion që mund të shprehet: Gjykata Kushtetuese. Këtë Gjykatë e ka shkatërruar me krenari dhe mburrje Edi Rama, sikurse ka shkatërruar edhe Gjykatën e Lartë, dhe ajo sot nuk mund të shprehet”