Lideri i opozitës Lulzim Basha ka folur sot në një lidhje telefonike ‘live’ për News24, emisionin “Të paekspozuarit” ndërsa ishte në rrugën e kthimit nga Gjermania.

Basha e cilësoi një vizitë dy ditore shumë të ngjeshur me takime dhe të suksesshme në Berlin. Ai tha se pati takime me përfaqësues të lartë të Bundestagut dhe Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë. Kreu i PD ndau edhe qëndrimin e gjermanëve për situatën në Shqipëri.

Sipas tij, Gjermania është shumë e shqetësuar dhe kryeministri Edi Rama konsiderohet njeri i mbaruar.

“Isha me ftesë të CDU-së së Merkel për një vizitë shumë të ngjeshur dy ditore, kam takuar përfaqësuesit më të lartë të Bundestagut. Kam pasur takime dje e sot me këshilltarin e Merkel për punë të jashtme dhe siguri dhe zv. sekretarin e çështjeve të jashtme dhe zv. sekretarin e çështjeve evropiane. Kam pasur takime në ministrinë e jashtme gjermane në fokus të të cilave ka qenë kriza në Shqipëri. Takime jashtëzakonisht të suksesshme, në radhë të parë për ndarjen e informacioneve për Shqipërinë, për ndarjen e pikëpamjeve të përkushtimit të përbashkët për vlerat europiane.
Gjermania ka qenë shumë e shqetësuar për zhvillimet në Shqipëri prej më shumë se një viti. Shqetësime që janë shprehur qartë. I pari i qeverisë ka zgjedhur t’i injorojë ose dhe të sulmojë. Sot këto shqetësime janë edhe më të mëdha për faktin e thjeshtë se raportet gjermane, politike dhe të agjencisë federale tregojnë atë që opozita dhe PD kemi thënë prej kohësh që nën sundimin e zotit Rama Shqipëria është kthyer në një Kolumbi të Europës… Pa kriteret e Kopenhagenit nuk mund të jesh anëtar as i KE jo më anëtar i NATO-s e BE. Edi Rama konsiderohet njeri i mbaruar. Në perëndim konsiderohet si një njeri që i kanë vënë kryqin”,
deklaroi Basha.