Deputetja e qarkut Durrës, Klodiana Spahiu, së bashku me kandidatin për deputet, Ledion Lako, në kuadër të turit “Bashkëqeverisja me njerëzit”, zhvilluan një takim me banorët e rajonit numër 2.

Në fjalën e saj, deputetja Spahiu falënderoi të gjithë ata që në 25 qershor besuan tek Partia Socialiste duke i dhënë asaj një mbështetje të madhe. “Unë do doja t’ju shpreh edhe një herë mirënjohjen e thellë kujtdo që punoi shumë fort më 25 qershor për fitoren e Partisë Socialiste”, u shpreh Spahiu.

Duke u ndalur tek dëgjesat publike, që po zhvillohen në të gjithë vendin, Spahiu tha se ky është një tregues i rëndësisë që do të zërë zëri i qytetarëve në qeverisjen e re.

“Kryeministri Edi Rama ka shpallur objektivat e 100 ditëve të para të qeverisë së re. Dhe padyshim që do të jetë një angazhim i gjithë qytetarëve për faktin që themi që do të bashkëqeverisim, që do të qeverisim me qytetarët, tregon dhe një herë rëndësinë e madhe që ka zëri juaj në qeverisjen e re”, deklaroi Spahiu.

Reforma në administratë, për ta bërë atë më efiçente në shërbimin ndaj qytetarëve, si dhe investimet në sistemin shëndetësor ishin shqetësimet e ngritur nga banorët e rajonit numër 2.