Pas 30 minutash ka përfunduar takimi në Presidencë mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Presidentit Ilir Meta, i ftuar në vijim të turit të konsultimeve që kreu i shtetit ka nisur për të diskutuar për situatën që ndodhet vendi.

Jashtë dyerve të Presidencës, Berisha është shprehur se është diskutuar gjerësisht për krizën madhore për procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetues. Ai sulmoi ashpër kreun e KED, Ardian Dvoranin të cilin e quajti "mafioz".

“Në këtë takim me Presidentin diskutuam gjerësisht për krizën madhore që mafia e Edi Ramës në përpjekjet e shpërfytyruara për të kapur gjithë sistemin e drejtësisë krijoi edhe në organin, që me ligj është garant i Kushtetutës së Shqipërisë. Tani është një moment kyç dhe vendimtar për çdo qytetar shqiptar, por duhet të theksoj se ju mediat keni një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm, sepse me të drejtë ju keni lakuar më shumë se çdo gjë tjetër, gjatë këtyre katër viteve, të paktën 20 herë më shumë Reformën në Drejtësi, sesa integrimin në BE. Është në detyrimin tuaj t’u thoni të vërtetën shqiptarëve, se si kjo reformë po sjell në mënyrë të lemeritshme kapjen e saj nga mafia e narkoshtetit shqiptar. Cilido që ka dyshimin më të vogël, i rikujtoj se KLP e sotme kryesohet nga një individ, kunati i ndrikullës së radarëve, që është në kundërshtim me Kushtetutën, sepse kërkohet të jetë magjistrat, por jo kunat. Ai është aty për t’i shërbyer si skllav Edi Ramës. Cilido që dyshon, i bëj një pyetje: A mund të na thoni cili gjykatës, në historinë 30-vjecare të këtij vendi, ka shkelë në mbledhje partiake, ai është vetëm një, mafiozi Ardian Dvorani, në mbledhjet e PS”, tha Berisha.