TIRANË-Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e radhës së qeverisë lëshoi akuza ndaj kreut të PS, Edi Rama. Sipas Berishës, për bllokimin e statusit të vendit kandidat për në BE, Rama do të marrë përgjigjen e merituar më 23 Qershor. 

“Përvec 3 ligjet që qeveria ka depozituar në parlament, por që zoti Rama parandjen një disfatë të thellë në zgjedhjet e 23 Qershorit, mendon se duke lënë vendin pa status, do të ndjehet më mirë, se ai që të keqen e vet do e shndërrojë në të keqe për gjithë të tjerët. Por kjo nuk do ndodhë, 23 qershori do shembë murin e bllokimit të z Rama, dhe shqiptarët do ecin të sigurt drejt procesit të integrimit. E mbajti peng 3 vite me radhë, do e ketë barrë peng gjithë jetën varur, por demokracia kjo është në këtë kontekst nuk ka zgjidhje përvecse zgjedhje të përgjithme, rrëzimin e murit të bllokimit me votën e shqiptarëve dhe shpresën dhe besimin se socialistët do kenë zërin e tyre në mbrojtje të interesit kombëtar e shoqëror. Mbase kanë fatin e keq se qeverisen nga bllokmenët e rinj, nga 99-ca”.

Berisha më pas bëri një bilanc të punës së qeverisë për këtë vit, duke përmendur rritjen ekonomike, investimet dhe në rrafshin diplomatik. Berisha vlerësoi reformat e ndërmarra për zhvillimin e vendit dhe shmangien e krizës ekonomike.

“Shqipëria ia doli në kushtet e një krize të paprecedent që ka kapur Europën. Jemi qeveri që mbaroi një vepër tjetër madhore, tunelin e Kërrabës, pas Rrugës së Kombit, ëndërr shekullore kjo e shqiptarëve, dhe qindra kilometra autostradë dhe mijëra kilometra rrugë dytësore e tretësore në mbarë vendin. Qeveri me ambicie të mëdha, ndryshoi sistemin arsimor të vendit. U inaugurua një zinxhir shkollash nga më modernet dhe më gjerë. Një qeveri e cila ndër më të paktat rriti rrogat dhe pensionet sesa indeksi i cmimeve. 
20 vite kanë kontribuar me qëllimet e tyre në konsolidimin e socializmit. Qeveria ka bërë përpjekje të mëdha në rrafshin kombëtar, në njohje të republikës së Kosovës. Shqipëria ka qenë një faktor paqeje dhe stabiliteti në ballkan. Ka pasur konsolidim të mëtejshëm të progresit, u shpallën rezultatet e censusit, cfarë treguan ato në tërësi, treguan se është një Shqipëri krejt tjetër, por është një Shqipëri shumë shumë më e avancuar. Bilanc përfundimtar do e bëjmë dhe ditët e para të javës që vjen”, u shpreh Berisha.

Kryeministri vlerëson se rritja ekonomike vërtetohet më së miri nga fuqia blerëse në vend. 
“Në një vit blihen 55 mijë vetura, cila është rënia e blerjeve, rënia ekonomike, fuqia blerëse rritet dhe këtë e fakton libri i shitjes në Republikën e Shqipërisë. 

NANO E AKUZOI SE SHISTE IKONA TË VJEDHURA NË PARIS 

Kreu i qeverisë Sali Berisha, duke ripërsëritur detyrat që ka ende për të bërë komiteti për 100 vjetorin e Pavarësisë, dhe vendosjen në piedestalin e duhur të udhëheqësve shpirtërorë të kombit, ka theksuar se Rama duhet të kërkojë të falur publikisht për gjenocidin kulturor të partisë së tij. 

Jo vetëm, kaq, por ai ka kujtuar akuzën e bërë nga ish kreu i PS-së, Fatos Nano, i cili e akuzoi Ramën për shitje ikonash të vjedhura. 

“Fatos Nano e akuzoi në katharsis se e mora nga Parisi tek shiste ikona të vjedhura. Ia ka thënë këtë për propagandë apo mbi bazë faktesh, i mbetet atij ta sqarojë, por ikonat dhe pikturat i morën më shumë amatorët e pikturës në nomeklaturë. Se ku e bazon Nano këtë deklaratë atë duhet ta sqarojë, por bëj thirrje të kthehen ikonat e marra nga institucionet e kultit, janë trashëgimi e përjetshme e kombit shqiptar. mbi 250 prej tyre janë zhdukur dhe nuk bëhen më se u morën në atë batërdi pikërisht nga këta njerzë”- tha Berisha. 

GJUHA SHQIPE

Kryeministri Sali Berisha i kërkoi sot ministrit të Arsimit që të krijojë mundësinë që në Televizionin Shtetëror, TVSH të mund të jepen mësime të gjuhës shqipe. 
“Të jepet emisioni i gjuhës në tvsh me satelit. Cikle të vazhdueshme në mënyrë që shqiptarët kudo që janë të ndjekin mësimin rrjedhshëm të gjuhës së tyre amtare dhe historisë së tyre kombëtare”.