Gjatë qëndrimit në Gjermani, ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një takim me ministrin e jashtëm të Kroacisë, Gordan Grlić-Radman.

Tema kryesore e diskutimit të takimit ishte nisja e procesit të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian për Shqipërinë, gjatë Presidencës Kroate.

Cakaj në një postim në Facebook, bëri me dije se gjatë mandatit të saj, presidenca kroate po synon hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“U pajtuam se Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet për të filluar procesin e bisedimeve për anëtarësim dhe tani është koha që BE ta gjejë ujdinë e brendshme për t’i dhënë shtysë të re procesit të zgjerimit në përgjithësi!”– përfundoi Cakaj postimin e tij.