Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim ambasadorin e Turqisë, Murat Ahmet Yörük. 

Ambasadori turk deklaroi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira, por tashmë duhet thelluar bashkëpunimi konkret midis qyteteve. Ambasadori deklaroi po ashtu se rritja e bashkëpunimit ekonomik e kulturor midis qyteteve shqiptare dhe atyre turke do të jetë edhe një nxitje më tepër për biznesin turk që të investojë në Shqipëri si dhe do të ndikojë në rritjen e shkëmbimeve turistike.

Nga ana e tij, kryebashkiaku Dako ka mbështetur idenë e ambasadorit turk për hapësira të reja konkrete bashkëpunimi duke shprehur gatishmërinë për një binjakëzim midis Durrësit dhe një qyteti bregdetar turk të ngjashëm me qytetin tonë.

Sipas Dakos, binjakëzimi me një qytet të rëndësishëm turk do të intensifikojë marrëdhëniet ekonomike, turistike e kulturore dhe do të shërbejë për një nxitje akoma më të madhe që bizneset turke të investojnë në Durrës.

Në fund të takimit, kryebashkiaku Dako dhe ambasadori turk Murat Ahmet Yörük shkëmbyen edhe dhuratat e rastit.