“Nuk ishte atentat ndaj meje, unë nuk kam konflikte me askënd. Makina përdoret nga shoferi im dhe shumë rrallë prej meje.”

Kështu shprehet drejtori i Hekurudhës dhe njëkohësisht kreu i Këshillit Bashkiak në Durrës, Ani Dyrmishi, pas konferencës për shtyp të kreut lokal të PD-së, Ferdinant Xhaferaj, i cili deklaroi se atentati i orës 00.45 të së martës ishte ndaj njërit prej drejtuesve më të lartë të PS në qytetin bregdetar.

Në deklaratën e tij nga selia e PD-së, Xhaferaj tha ndër të tjera se “ditën e hënë duke u gdhirë e martë, në qendër të Durrësit, në lagjen nr.4, si pasojë e përplasjes së bandave të Rilindjes goditet me armë Drejtori i përgjithshëm i Hekurudhave dhe kreu i Këshillit Bashkiak Durrës Ani Dyrmishi.” Në të njëjtën kohë, Xhaferaj akuzoi drejtorin e policisë së Durrësit Lorenc Shehun, se po fshihte ngjarjen dhe se është emëruar në qytetin bregdetar jo për të vendosur rendin, por për të negociuar sherret e bandave të PS.

Sipas Dyrmishit, deklarata e Xhaferajt nuk tregon aspak atë që ka ndodhur në realitet, pasi nuk ka pasur asnjë atentat apo të shtëna me armë në drejtim të tij. Dyrmishi thotë për DurrësLajm se e përdor rrallë makinën mbi të cilën është qëlluar dhe ditët e fundit nuk lëvizte me të.

“Unë lëviz në këmbë në të gjithë Durrësin, nuk kam konflikte. Nuk besoj se kam qenë unë shënjestra, pasi ajo është lagje problematike dhe për këtë arsye shpesh ka patrulla të policisë në zonë. Ka qenë vetë policia që e ka rrethuar makinën, unë nuk dija gjë. Nuk kam lidhje me ngjarjen në fjalë.”

Dyrmishi përjashton mundësinë që ngjarja e orëve të para të së martës të ketë lidhje me incidentin e nëntorit të vitit 2018, ku poshtë makinës së tij u gjet një sasi eksplozivi. Hetimet e deritanishme nuk kanë hedhur ende dritë mbi ngjarjen dhe autorët e vendosjes së eksplozivit, rreth një vit më parë. 

Sipas kreut të Këshillit Bashkiak, deklaratat e PD-së Durrës janë politike dhe ngjarja po përdoret politikisht.

M.B.