Bashkëkryetarja e tryezës së Reformës Zgjedhore, Rudina Hajdari pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Politik tha se PD-ja nuk e pranon ndryshimin e sistemit.

Në një deklaratë për mediat, Hajdari u shpreh se nuk e kupton frikën që ka klasa e vjetër politike për të ndryshuar sistemin zgjedhor, ndryshim për të cilin ajo nuk do të dorëzohet.

“Propozova të gjithëve që të rrinim dhe ta mbyllnim këtë çështje, nuk e pranuan dhe u çuan pasi nuk morën përgjigjen që donin. Erdha në këtë tryezë për të ndryshuar sistemin zgjedhor. Nuk e kuptoj pse PD-ja nuk e përfaqëson këtë ide. Erdha këtu për të gjetur një formulë kompromisi që ta pranonin të gjithë. Sot kam prezantuar një formulë që e hap lustën pjesërisht dhe është pranuar nga ndërkombëtarët por ma hodhën poshtë. Nuk e di se pse nuk e pranojnë ndryshimin. E kuptoj pse Edi Rama e kërkon këtë sistem që ka marrë gjithë pushtetet, por nuk e kuptoj Lulzim Bashën që pranon një sistem që e ka bërë Ramën perandor. Duhej një ndryshim para zgjedhjeve të 2021, ne në ato zgjedhje duhet të shkonim me lista të hapura por nuk e pranuan. Unë nuk dorëzohem në një anë kemi  klasën e vjetër politike nga ana tjetër kemi qytetarët që e duan ndryshimin. Këto nu ke duan ndryshimin”, është shprehur Hajdari.