Ish-presidenti, Bamir Topi, nuk preferon të analizojë vendimet e pasardhësit të tij Ilir Meta në krye të institucionit të Presidencës, por thotë se Presidenti përkundër dobësimit të kompetencave nga viti 2008 mbetet Kreu i Shtetit dhe si i tillë duhet respektuar.

Topi: Presidenti pavarësisht dobësimit të kompetencave pas 2008-ës mbetet President i Republikës, është kryetar i shtetit. Dhe pavarësisht përplasjeve të cilat kanë sfond të pasur politik, besoj se gjuha e përdorur është një gjuhë që nuk u shkon për shtat atyre që konsiderohen burra shteti. Duhet të ketë një gjuhë më të zgjedhur, nuk duhet të vulgarizohet. Pas ndryshimeve të 2008, Shqipëria de facto është një republikë kryeministrore.

I ftuar në RTV Ora ai foli dhe për Kuvendin. Nuk ka mendim pozitiv për trupën e deputetëve, por respekton institucionit.

Sakaq me tone kritike shprehet edhe ndaj opozitës politike për vendimin e paprecedent të djegies së mandateve.

Topi: Unë kam respekt absolut për institucionin, por jo për trupën aktuale të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Nuk më kanë lënë asnjë lloj shansi që të mendoj pozitivisht. Në këtë kontekst nuk mund  të justifikoj braktisjen e parlamentit nga opozita. Braktisja nga opozita e ka bërë Edi Ramën kryeministër të jetë pa asnjë lloj barrikade dhe kjo është shumë e rëndë për fatet e demokracisë.