Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, kryeministri Edi Rama u përgjigj për herë të parë për kandidatin e bashkisë së Matit, ish-gardistin e 21 janarit, Agron Malaj.

Kreu i qeverisë tha se Agron Malaj, kryetari i PS-së së Matit ka qenë pjesë e Gardës së Republikë dhe e grupit të “zjarrit”, por sipas kryeministrit ai nuk ka marrë pjesë në shkeljen e ligjit.

"Agron Malaj ishte pjesë e Gardës së Republikës, ka qenë pjesë e atij grupi, por është e provuar katërcipërisht se nuk ka marrë pjesë në asnjë shkelje të ligjit. Juve që merreni me informacionin, keni të gjithë të drejtën dhe detyrën, para se të vendosni njerëzit në një kornizë shabllone, të investigoni. Është e vërtetë që është larguar si shumë të tjerë, por jo për të konfirmuar fajësinë morale, në këtë rast, por për t’i dhënë transparence procesit. Si mund, në cilën sferë të imagjinatës do shkoja unë për të pranuar dhe vendosur në një lidership, një person që do ishte fajtor, qoftë edhe moralisht në 21 janar. Ishte një nga ata që kanë informuar imtësisht për 21 janarin. Jam shume i qete në këtë drejtim se nuk ka asgjë këtu, nuk është se gjithë dynjaja, edhe këtu edhe në protestë, nuk janë të gjithë ata që vijnë njerëz që janë fajtorë, nuk mund të them kurrë që një pjesë e atyre që ishin edhe para kryeministrisë kur hidhej molotov janë huliganë", tha Rama.