KQZ ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e 30 qershorit dhe gjithçka po zbatohet sipas ligjit të vjetër. Po në zbatim të këtij ligji, kryetari i KQZ-së Klement Zguri, kërkon që edhe partitë të përmbushin detyrimet që iu ngarkon ai.

“Por sfida përballohet me sukses, kur të gjithë bëhemi të vetëdijshëm se zgjedhjet nuk janë çështje vetëm e institucioneve dhe nuk varen vetëm nga fati i reformës zgjedhore. Sfida e zgjedhjeve do të përballohet me sukses, kur partitë politike pjesëmarrëse në to, veçanërisht partitë që ligji i ngarkon me përgjegjësi administrimi do të kuptojnë dhe pranojnë se detyrimet e tyre ligjore në raport me administrimin nuk janë opsione, nuk formojnë privilegj dhe as avantazh”.

Zguri iu kujton forcave politike edhe detyrimin për të bërë transparencën e financimeve të tyre, detyrimin që është anashkaluar ndër vite.

“Raportet financiare depozitohen pas zgjedhjeve, por dokumentimi i finacimit bëhet sot. Sot mbahen llogaritë. Sot plotësohen detyrimet ndaj ligjit. Nëse partitë këtë detyrim e lënë për pas zgjedhjeve, atëherë standardi zgjedhor nuk do arrihet dot, nuk do ketë transparencë, do të ketë financim ilegal dhe, pse jo, përdorim të parave për qëllime të kundraligjshme. Ndaj unë dua t’i kujtoj sot publikisht për këtë detyrim të tyre”.