Bashkia Shijak u bë sot bashkia e parë, në të cilën do të nisë zbatimi i Programit të Granteve të dëmshpërblimit të banorëve të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

Sipas kryebashkiakut të Shijakut, vendimi i sotëm i qeverisë është një fitore për qytetin dhe qytetarët.

Në një konferencë për shtyp, ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, deklaroi se nga dita e premte do të nisë pagesa direkte për familjet e Shijakut, banesat e të cilëve janë të dëmtuara në shkallën DS1, DS2, DS3.
Në Bashkinë Shijak janë 1174 banesa individuale dhe 27 banesa kolektive, pra pallate që përfitojnë nga Grantet e Rikonstruksionit.
Qeveria ka miratuar rreth 513 milionë lekë për Shijakun, për vitin 2020.

Por krahas këtij vendimi të rëndësishëm, një lajm tjetër tërhoqi vëmendjen e medieve gjatë ditës së sotme. Lajmi kishte të bënte me depozitimin e mbetjeve inerte të krijuara nga shembja e pallateve dhe shtëpive të shembura në Shijak në afërsi të mbikalimit të Fllakës.

Por sipas kryebashkiakut Arbana, e vërteta është tjetër.  

“Për informim korrekt ndaj opinionit publik dhe për të mos lënë vend për keqinterpretime nga portale të caktuara theksojmë se hapësira e lirë që gjendet pranë Mbikalimit të Fllakës është një vend-depozitimi i përkohshëm i inerteve. Kjo shërben për implementimin dhe zbatimin e projektit. Na ndihmon të përgatisim zonat ku janë shembur banesat për kantierin e ndërtimit. Theksojmë se Policia Bashkiake në bashkëpunim me Policinë e Rendit ka siguruar ruajtjen e inerteve 24 orë. Ndërkohë, pjesa tjetër e inerteve do të shkojë në landfillin e Sharrës”, thekson kryebashkiaku Arbana në një postim në rrjete sociale.

Nga shembja e objekteve të dëmtuara nga tërmeti në Bashkinë Shijak parashikohet të prodhohen rreth 350 mijë ton inerte.

Postimi i plotë i kryebashkiakut Arbana:

Për TRANSPARENCË dhe PËR TË SHMANGUR çdo KEQINTERPRETIM ndaj informimit publik.
Një sukses i fituar me punë nuk mund të anashkalohet nga keqinterpretime mediatike.
E VËRTETA ËSHTË KJO:
Shembja e objekteve të dëmtuara nga tërmeti në Bashkinë Shijak parashikohet të prodhojë rreth 350 mijë ton inerte.
Për menaxhimin e fazës së pastrimit të këtyre inerteve dhe vend-depozitimit të tyre, Bashkia Shijak do të bashkëpunojë me Institucionet përkatëse dhe Ministrinë e Mbrojtjes duke patur gjithmonë parasysh prioritetet tona brenda territorit që mbulojmë si bashki.
PRIORITETI I NDËRTIMIT TË MBIKALIMIT TË FLLAKËS.
Bazuar në ligjin nr. 139/2015 “Për VetëQeverisjen Vendore” Ky është projektvendimi nr. 29 i marrë nga Këshilli Bashkiak në mbledhjen e datës 25 nëntor 2019.
Ky vendim u miratua dhe nga Prefekti i Qarkut Durrës.
Ky vendim u mor pas kërkesës zyrtare kundrejt Bashkisë, datë 16.10.2019 nga një grup biznesesh të zonës si një domosdoshmëri në funskionimin dhe lehtësimin e këtyre bizneseve dhe me interes publik për të gjithë qytetarët.
Më pas, me një vendim të marrë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (Vendimi i Këshillit teknik, Nr. 56 të datës 25.02.2020) u dha autorizimi për fillimin e punimeve tek Mbikalimi i Fllakës, zgjidhje e përkohshme deri në zbatimin e projektit të zgjerimit të superstradës Tiranë-Durrës, me mundësi të mëvonshme rakordimi me këtë projekt me akses hyrje-dalje.
Për informim korrekt ndaj opinionit publik dhe për të mos lënë vend për keqinterpretime nga portale të caktuara theksojmë se hapësira e lirë që gjendet pranë Mbikalimit të Fllakës është një vend-depozitimi i përkohshëm i inerteve.
Kjo shërben për implementimin dhe zbatimin e projektit.
Na ndihmon të përgatisim zonat ku janë shembur banesat për kantierin e ndërtimit.
Theksojmë se Policia Bashkiake në bashkëpunim me Policinë e Rendit ka siguruar ruajtjen e inerteve 24 orë.
Ndërkohë, pjesa tjetër e inerteve do të shkojë në landfillin e Sharrës.
Bashkia Shijak ka rehabilituar gjithashtu zonën tek ura e Sul Golemit që më parë ishte një vend depozitimi inertesh, duke përdorur pemët, dritat dhe shumë shpejt dhe stolat e lagjes “Lugina”
Ku ka vullnet, ka zgjidhje!