Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka akuzuar qeverinë dhe drejtësinë se me një skenar mafioz lanë të lirë në 24 orë ish-kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku.

Bardhi shkruan në Facebook se skenari fillonte me Policinë që gjoja e arrestoi pas 7 muajsh arrati, dhe më pas gjithçka u llogarit në mënyrë të tillë që Kajmaku mos të vuante asnjë ditë burg.

POSTIMI I PLOTË

Një skenar mafioz u zbatua 24 orët e fundit nga qeveria dhe drejtësia për të lënë të lirë Agim Kajmakun e Vorës.

Policia bëri dje sikur e arrestoi papritur, pas një gjoja arratisje 7 mujore, ndërsa drejtësia, nën diktatin e qeverisë, e liroi sot nga burgu. Gjithçka ishte llogaritur që lulishtari i oborrit 1 milionë euro të Edi Ramës në Surrel të mos vuante asnjë ditë burg.

Agim Kajmaku, një fallsifikator, që fshehu krimin në formularin e dekriminalizimit, u mbrojt nga Edi Rama. Kryeministri nuk e shkarkoi nga detyra, megjithëse ne provuam me dokumenta se kryebashkiaku ilegjitim i Vorës kishte mashtruar dhe ishte në shkelje flagrante të ligjit.

Gjatë kohës së “arratisë”, Agim Kajmaku u pagua 200 milionë lekë nga pushteti i Edi Ramës, duke vendosur rekord sesi një person që kërkohet nga policia, përfiton njëkohësisht miliona lekë nga tendera publikë. Ky është një pushtet i kalbur që duhet shkulur me rrënjë, sa më parë!