Lulzim Basha është rizgjedhur kryetar i Partisë Demokratike për herë të dytë duke marrë 53931 vota, ose 48795 vota më shumë se rivali i tij Eduard Selami që mori vetëm 5136.

Selia blu thotë se 767 vota dolën të pavlefshme dhe 61 fletë kanë qenë të dëmtuara. Votimet për zgjedhjen e kryetarit të PD-së u zhvilluan dje nga ora 08:00 deri në orën 19:00.

Në zgjedhjet për kreun e ri të demokratëve votuan 59766 anëtarë nga 103.952 ose 57%.

Fitorja e Lulzim Bashës vjen në një kohë kur brenda PD-së një grup anëtarësh kanë dalë publikisht kundër tij, duke e akuzuar si shkaktarin e humbjes së zgjedhjeve dhe shkatërrimin e kësaj force politike.

Në krye të kësaj lëvizjeje qëndron Astrit Patozi, dhe që mbështetet nga figura të demokratëve si Jozefina Topalli, Ridvan Bode, Genc Ruli, Majlinda Bregu, Besnik Mustafaj etj., që kërkojnë largimin e Lulzim Bashës.