Pas zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, ku fituan në 60 nga 61 bashkitë, socialistët do të nisin së shpejti garën për të zgjedhur strukturat drejtuese lokale. Kryesia e Partisë Socialiste ka udhëzuar të gjitha degët për reformim dhe zgjedhje në çdo qytet.

Teksa situata duket e qetë në qytete të tjera, në Durrës, ish-kryetari i FRESH, Ardit Kërtusha ka "ndezur motorët" e fushatës për të garuar për drejtimin e PS-së së qytetit bregdetar, në krye të së cilës është Luan Zaza prej disa vitesh.

Kërtusha, i cili në muajin prill të këtij viti është emëruar drejtor rajonal i Departamentit të Kontrollit dhe Rikuperimit të Humbjeve të OSHEE-së Durrës, prej disa ditësh ka zbritur në terren duke zhvilluar takime në zona të ndryshme me socialistët durrsakë. Ai ka postuar në Facebook momente gjatë takimit me kryetarët dhe bazën socialiste.

Edhe pse vetëm 28 vjeç, Kërtusha aspiron të drejtojë Partinë Socialiste të Durrësit, qyteti i dytë më i rëndësishëm në vend pas Tiranës, ndërsa më herët ka qenë në krye të FRESSH për 4 vite, si dhe Drejtor i Përgjithshëm pranë Këshillit të Qarkut Durrës për 5 vite.

"Është nder dhe privilegj të jesh pjesë e Partisë Socialiste, si në bazë si në drejtim", thotë Kërtusha për DurrësLajm. "Unë kam shumë vite pjesë e familjes socialiste dhe jam krenar për këtë angazhim. E kam filluar te strukturat vullnetare më pas kam drejtuar organizatë socialiste duke vazhduar punën në PS-në e Durrësit si zëdhënës shtypi. Fitova zgjedhjet si kryetar i FRESH-it dhe e ushtrova këtë funksion për një mandat të plotë ku mësova dhe dhashë shumë për partinë, kryesisht rininë e PS. Më pas vazhdova si koordinator dhe anëtar i Kryesisë së PS Durrës, pra është kjo eksperiencë, kjo dëshirë si dhe vullneti im i palëkundur që më motivon të marr drejtimin e Partisë Socialiste Durrës për ta çuar përpara punën e gjithësecilit dhe për të futur një frymë dhe  metodologji të re me pasion rinor. Parimi do jetë gjithëpërfshirja në vendimet kolegjiale si dhe zbritja e njëherë e përgjithmonë e e strukturave në bazë sepse baza është gjaku dhe shpirti i partisë sonë."

G.D.