7 deputetë të PS-së, anëtarë të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, kanë depozituar në Kuvend kërkesën për shqyrtim të ndryshimeve në kodin zgjedhor.

Mes tyre është edhe bashkëkryetari i këtij Komisioni, Damian Gjiknuri, i cili nga Vlora u shpreh se pas marrëveshjes politike me PD tashmë duhet të gjejë votat në mes të opozitës parlamentare.

“Një betejë tjetër në Kuvend e cila tashmë ka filluar për arsye se sot politika është tre polare. Nga njëra anë është një opozitë joparlamentare që përfaqëson elektoratin e saj natyrshëm, por ka edhe një opozitë në parlament që ka votat. PS është parti serioze, nuk mund tu shmanget detyrimeve që ka marrë përsipër pasi ato detyrime janë bërë publike, sidomos karshi partnerëve ndërkombëtarë”- tha Gjiknuri.

Pakica parlamentare ka kërkuar hapjen e listave, por Gjiknuri tregon se si ky proces mund ta ndërlikojë admiistrimin zgjedhor. Madje deputeti socialist shprehet se nëse nuk arijnë të gjejnë votat, PS duhet të nisë një tjetër dialog politik.

Socialistët janë të hapura për ndryshimet e reja në qeveri apo të drejtuesve të institucioneve.

“Drejtuesit e institucioneve nuk i kanë me tapi ato gjëra, ka drejtues që mund të lëvizin”– tha Gjiknuri.