Kuvendi i Shqipërisë u mblodh sot në orën 10:00 në seancën e dytë për këtë sesion, ndërsa në rend dite është një pikë e rëndësishme, ajo për ngritjen e Komisionti të Posaçëm Parlamentar që do të përzgjedhë anëtarët e rinj të Komisionit Qendror Zgjedhor.

Janë 12 vende vakante që pritet të plotësohen në KQZ. Përzgjedhjen do ta bëjnë deputetët, por në këtë komision siç është rënë dakord mes mazhorancës dhe opozitës së Bashkuar do të ketë edhe përfaqësues të opozitës së Bashkuar.

Kujtojmë se KQZ merr një organigramë krejt tjetër nga KQZ-ja e deritanishme. Ka një kryekomisioner, një zv. kryekomisionier me detyrë implementimin e teknologjisë në zgjedhje, ka një Komision Rregullator me 5 anëtarë që do merret me procesin e organizimit, një Komision për Ankesat dhe Sanksionet edhe ky me 5 anëtarë që do vlerësojnë nëse ka pasur apo jo shkelje të Kodit Zgjedhor në votime.

Deri më tani kanë aplikuar 25 persona për 12 vendet vakante në KQZ, ndërsa afati i fundit për të aplikuar është 18 shtatori.