Sekretari i përgjithshëm i PS Taulant Balla sulmon gjyqtaren e Durrësit që vendosi të mos i japë mandatin e deputetit kandidates socialiste Valbona Sako, duke arsyetuar se zgjedhjet e 30 qershorit ishin jo-legjitime.

Balla e quan vendimin e gjyqtares së Gjykatës së Shkallës së Parë në Durrës, Mimoza Margjeka, si “shkelje flagrante e ligjit”, që u përshëndet nga opozita “e dëshpëruar”.

Reagimi i Ballës:

Keqardhje për vendimin absurd, arbitrar dhe nul te një gjyqtareje, e cila mori brohoritjet e atyre qe në vijim të përpjekjes se deshpëruar për kaos e pasiguri, nuk dinë më cfarë bëjnë. Pavarësisht kësaj lajthitjeje anti-ligjore dhe anti-logjike të radhës, në respekt të vullnetit të popullit, çdo kryetar i sapo zgjedhur pas shpalljes së vendimit vetëm nga KQZ apo Kolegji Zgjedhor do ta marrë detyrën, do ta ushtrojë dhe do të japë llogari përpara Këshillit Bashkiak sikurse ligji e parashikon.

Nuk ishte parë e dëgjuar në gjithë këto vite që një vërtetim i thjeshtë fakti të refuzohet duke dalë hapur në shkelje flagrante të ligjit mbi një vendim të formës së prerë. Në Shqipëri sipas Kodit Zgjedhor mandatet e të zgjedhurve i jep vetëm KQZ dhe Kolegji Zgjedhor. Dhe vendimet e Kolegjit Zgjedhor janë përfundimtare dhe të pa-ankimueshme.

Sidoqoftë me keqardhje për ata që kanë humbur rrugën e arsyes, ne mbetemi të qetë dhe të vendosur në rrugën e hapur nga populli më 30 Qershor.