Reagimi i papranueshëm i kreut të sapozgjedhur të Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, ndaj gazetares së Televizionit Klan, Enkelejda Mema ka shkaktuar reagime të shumta.

Në një qëndrim të saj, Partia Demokratike thotë se është e turpshme, e papranueshme, e dënueshme sjellja intimiduese dhe fyese e ish-ministrit të Diktaturës, Skënder Gjinushi.

“Në një vend normal, demokratik, Skënder Gjinushi sot nuk do ishte lejuar të hynte në Akademi”, thuhet në deklaratën e publikuar nga ish-deputetja Albana Vokshi.

Ajo e sjell këtë rast në vëmendje të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare, OSBE, Delegacionit të Bashkimit Europian, Këshillit të Europës, Amnisty International, Reporterëve pa Kufij, që raste të tilla ngacmimi seksual janë të dënueshme e të papranueshme.

Edhe online ka nisur një peticion që kërkon shkarkimin e kreut të Akademisë së Shkencave.

Skënder Gjinushi ofendoi rëndë gazetaren Enkelejda Mema, e cila po e pyeste se kur i lindi ambicia për këtë post. Kësaj pyetjeje, Gjinushi i është përgjigjur me një gjuhë aspak etike duke i thënë konkretisht: "Qenke shumë e eksituar, shko mjekohu".

Deklarata e Vokshit:

TË SHKARKOHET SKËNDER GJINUSHI PËR AKTIN E TURPSHËM NDAJ GAZETARES MEMA!!

Gazetarja Enkelejda Mema, u intimidua, u fye dhe u ngacmua seksualisht nga Skënder Gjinushi, gjatë një transmetimi live, pak minuta pas zgjedhjes Kryetar i Akademisë së Shkencave, me votë të urdhëruar direkt nga Kryeministri Edi Rama.

E turpshme, e papranueshme, e dënueshme sjellja intimiduese dhe fyese e ish ministrit të diktaturës Skënder Gjinushi, ndaj gazetares me shumë përvojë Enkeleda Mema.

Në një vend normal, demokratik, Skënder Gjinushi sot, nuk do ishte lejuar të hynte në Akademi. Ministër i diktaturës, me fjalor dhe akte perverse si sistemi diktatorial që i prodhoi, nuk mund e nuk duhet të jetë as anëtar, e jo më të drejtojë Institucionin më të lartë shkencor në Shqipëri.

I bëj thirrje të gjithë mediave kombëtare e lokale të denoncojnë aktet e turpshme të fyerjes dhe dhunës verbale e psikologjike ndaj gazetares Mema dhe të gjithë gazetarëve në detyre.

Sjell në vëmendje të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare, OSBE, Delegacionit të Bashkimit Europian, Këshillit të Europës, Amnisty International, Reporterëve pa Kufij që raste të tilla ngacmimi seksual janë të dënueshme e të papranueshme.

Sot është dita që organizatat për mbrojtjen e grave nga dhuna dhe shoqatat e gazetarëve të mos heshtin, por të protestojnë në mbrojtje të koleges gazetare e në emër të respektit e dinjitetit të detyrës së gazetarit.

#ProtestoPërLiritëThemelore
#Gazetarët”Protesto-raporto”

P.S. Në foto Skënder Gjinushi me Edi Ramën, një ditë pas zgjedhjeve në Akademinë e Shkencave.