Ish-presidenti Bamir Topi, në përfundim të takimit me Kreun e Shtetit, Ilir Meta, tha se zgjidhja e krizës nuk vjen nga aktorë jashtë institucioneve. Duke nënvizuar se gjërat nuk mund të ecin mbarë kur ka përplasje mes palëve, Topi tha se në një shtet modern duhet të ketë balancë të institucioneve.

“Ish-presidentët, nuk janë aktorë institucionalë. Por mos mendoni se zgjidhja vjen nga aktorët jashtë institucioneve. Ajo që mund të them sot, është se sot jemi në nëntor 2019. Do e kem të vështirë të flisja nëse nuk do kisha luftuar në prill të 2008. Kjo e sotmja është pasojë e 21 prillit 2008. Mos mendoni se gjëmat ndodhin brenda muajit. Sot historia e përplasjeve institucionale është një histori e trishtë, është përplasja më e paprecedentë. Në momentin kur të gjithë shpresonin se mbi bazën e reformës në drejtësi të ndërtohen institucionet normale, këtu fillon ngërçi i madh.

I gjithë ai, pushtet që ndryshoi në 2008 në favor të mazhorancave politike, dezikulibroi mënyrën e sjelljes politike. Kush bëhet kryeministër merr pushtet, edhe kur shkojnë në parlament është pushtet i kryeministrit. Kur diskutohet për çështje të administratës është pushtet i kryeministrit. Por në fakt në një shtet modern, duhet të ketë balancë të institucioneve.

Pra në rast se këtë institucion e kanë quajtur honorifik, pas 2008 ky institucion është kthyer në atavik, një institucion i parëndësishëm. Ajo që mund të them sot është se palët që janë në këtë përplasje, duhet që të gjejnë arsyen dhe vullnetin për t'i dhënë një zgjidhje, që nuk është e pushtetit personal të njeriut”.

Takimi mes palëve filloi në orën 18:00, dhe zgjati përreth 45 minuta, teksa u diskutua mbi ngërçin dhe krizën institucionale.