Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka i ftuar në studion e emisionit “Opinion” në “News 24” nga gazetarja Nisida Tufa u shpreh se lëvizjet e fundit të Edi Ramës janë shenja të lajthitjes së tij. Duke folur për arrestimet e protestuesve opozitarë në Librazhd, Paloka tha se ata tregojnë çmendurinë e kryeministrit, që urdhëron të tilla shoqërime.

“Lleshaj ka kohë që e shkel ligjin dhe vazhdon ta shkelë ligjin rregullisht. Ai vepron me urdhër të Ramës. Arrestimet e fundit janë shkelje e ligjit nga Edi Rama. Më datë 30 qershor, nuk e kemi me popullin, e kemi me atë, Ramën. Ia thanë edhe dje, ia tha Pandeli Majko në parlament. Rama kërkon të shkelë popullin me këmbë. S’mund të çojmë popullin në gjak pse ka lajthitur Rama. Vendi po rrezikon demokracinë”, tha Paloka.

Ai shtoi se protestat opozitare nu do të ndalen. “Protestat jo vetëm nuk do të ndalen, por do të intensifikohen. Sot ne kemi mbledhje të tjera për të vendosur pikërisht për protestën tjetër. Është diskutuar njëherë me aleatët dhe besoj se do të vendoset data. Për datën e protestës do të mblidhemi”, u shpreh Paloka.

Në lidhje me dekretin e presidentit dhe më pas letrën e Metës për KQZ, Paloka nënvizoi se parlamenti është ilegjitim.

Situata është një ndërthurje e palaçollëkut me dramën, sepse tentohet një akt që realisht e dërgon Shqipërinë në situata realisht të rrezikshme. Tentohet të shkarkohet presidenti i Republikës, pse nxori një dekret, të cilat duket se e çonin vendin drejt një përplasje të pashmangshme. Ligjërisht presidenti nuk mund të shkarkohet. Presidenti me vendimin e tij shmangu përplasjen. Dekreti i Metës duhet që të zbatohet. Rama këmbëngul që 30 qershori të jetë një ditë e zezë.  Parlamenti nuk ka 140 deputetë, është ilegjitim. Ai mund të shpërndajë edhe parlamentin”, tha Paloka.