24 orë pas padisë së depozituar, Partia Demokratike i kërkon organit të akuzës së Tiranës të urdhërojë pezullimin nga detyra të Kryeprokurores Arta Marku dhe nisjen e hetimeve ndaj saj. Opozita e akuzon se u emërua në krye të Prokurorisë me qëllim shkatërrimin e provave për ish-ministrin e Brendshëm dhe Emiljano Shullazin. Ndaj dhe dy largimet e prokurorëve të çështjes “Tahiri”, Besim Hajdarmataj dhe Elizabeta Imeraj, të bëra sipas demokratëve në shkelje të ligjit, kanë për qëllim mbylljen e  hetimeve ndaj ish-ministrit Tahiri.

Enkelejd Alibeaj, deputet i PD-së nga selia blu, deklaroi se “Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë së Tiranës të urdhërojë pa vonesë pezullimin nga detyra të Arta Markut dhe të nisë hetimin ndaj saj. Shpërdorimi i detyrës nga Arta Marku është një çështje që kërkon hetim të shpejtë nga Prokuroria e Tiranës, për të mos lejuar shkatërrimin e mëtejshëm të çështjeve Tahiri, Shullazi apo ndonjë dosjeje tjetër për të cilën është shqetësuar Edi Rama”. 

Me të njëjtën urgjencë demokratët i kërkojnë Prokurorisë së Tiranës të hetojë edhe lidhjet mes kryeprokurores e kryeministrit, të cilën e akuzojnë se është vënë në shërbim të krimit.

Cilat janë lidhjet direkte apo indirekte të Arta Markut me Edi Ramën.Çfarë komunikimesh ka Arta Marku me Engjëll Agaçin dhe si kanë ndikuar ato në shkatërrimin e hetimeve për “Tahirin” dhe zvarritjen e ccështjes “Shullazi”.Çfarë i kanë kërkuar kryeprokurores Fatmir Xhafaj, Ulsi Manja, Ermonela Felaj apo ndonjë deputet tjetër socialist. Hetimet duhet të qartësojnë a ka patur kryeprokurorja kontakte me avokatët apo të dërguar të Emiljano Shullazit”, tha Alibeaj.

Opozita thotë se hetimi pa vonesë për padinë penale dhe pezullimin e Arta Markut nga detyra është shërbimi më i madh që prokurorët e ndershëm mund t’i bëjnë drejtësisë.