Drejtuesi i Departamenteve pranë Partisë Demokratike Durrës, Ivo Jorgoni, me anë të një statusi në “Facebook” bën me dije se afro 200 specialistë të fushave të ndryshme janë afruar pranë PD-së Durres para dhe pas deklaratave se kryeministri Rama do të kandidojë në qytetin bregdetar.

Ndër këta 200 specialistë, janë mjekë, inxhinierë, arkitektë, artistë, juristë, pedagogë dhe shumë profesionistë të tjerë të jetës publike në Durrës.

“Unë mendoj që asnjë deklaratë publike , status Facebooku apo foltore nga Opozita nuk mund t’jua shpjegojë Ramën durrsakëve dhe shqiptarëve më mirë se Rama ka pikturuar veten gjatë këtyre 7 viteve qeverisje.

Tanimë të gjithë e njohin!

Përballë bandave që takon çdo ditë do ketë “bandën” e intelektualëve” dhe karakterin durrsak që në periudha të ndryshme shumë deçizive për të ardhmen e Shqipërisë ka ditur gjithmonë të largojë me votë të papërgjegjshmit.

Asgjë s’do jetë më si më parë, as fushata, as bandat, as blerja e votës, as manipulimet dhe as forca e pushtetit”, deklaron Jorgoni.

Më tej ai thekson se Durrësi nuk do të blehet dhe durrsakët janë rreshtuar përballë dhe jo në krah të Ramës.

“25 Prilli do lindë si një ditë e bukur për shqiptarët e ndershëm dhe dita ku gjithkush do mbajë përgjegjësi personale për çmendurinë kolektive të tentativave të manipulimit të zgjedhjeve nga Rilindja.

Formularët e shpërndarë në administratë këto ditë nuk i bëjnë dot makiazh makthit të këtyre 7 viteve por patjetër që ngarkojnë me përgjegjësi penale këdo vendos firmën në të dhe merr pjesë në tentativat për manipulimin e zgjedhjeve”.