Pak orë para protestës së opozitës, kreu i degës së PD në Shijak, Rezart Tusha i ka dërguar sot një letër KZAZ-së dhe kryetarit të bashkisë.

Tusha kërkon zbatimin e dekretit të Presidentit të Republikës, Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

"I nderuar kryetar dhe anëtarë të KZAZ Shijak, i nderuar kryetar i bashkisë Shijak, unë Rezeart Tusha në cilësinë e kryetarit të degës së Partisë Demokratike Shijak dhe në emër të demokratëve të qytetit të Shijakut kërkoj nga ana juaj anulimin e procesit zgjedhor për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore.

Të gjitha organet e ngarkuara për organizmin e zgjedhjeve të qeverisjes vendore, kanë detyrim kushtetues të zbatojnë dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për sa i përket datës së zhvillimit të zgjedhjeve.", thuhet ndër të tjera në letër.